Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, e ka konfirmuar se tani e tutje rrugëtimin e tij politik do ta vazhdojë në Lëvizjen Vetëvendosje e udhëhequr nga Albin Kurti. Ai është larguar nga Aleanca Kosova e Re të cilën e udhëheq ministri i punëve të jashtme, Behgjet Pacolli.

Bahtiri e ka konfirmuar se të premten do t’i bashkohet Vetëvendosjes. E ai nuk do të jetë i vetëm, bashkë me të do të jenë pjesë e LVV’së edhe 600 aktivistë dhe përkrahës të tij.

“Është e vërtetë, të premten do t’i bashkohem Vetëvendosjes” ka thënë Bahtiri duke shtuar se “me minimum 600 aktivistë të tjerë, të cilët kanë qenë në AKR”, ka thënë Bahtiri.

Gjatë muajit maj të këtij viti Bahtiri e ka shoqëruar Albin Kurtin në tri komunat Veriore të Mitrovicës.

Bahtiri edhe më parë kishte konfirmuar se është larguar nga partia e Behgjet Pacollit.

Express më datë 25 korrik të këtij viti kishte pyetur të parin e Mitrovicës për koalicione të mundshme parazgjedhore, ai ishte përgjigjur se për këtë pyetje duhet të adresohemi të organet e AKR’së, duke e përjashtuar vetën e tij.

“Unë nuk merrem më me AKR’në, pyetni organet e AKR’së, jo mua”, kishte deklaruar Bahtiri.

E arsyeja pse ai nuk kishte pranuar të deklarohet ishte sepse sipas Bahtirit ai nuk ishte më pjesë e AKR’së.

“Unë nuk jam më me AKR’në, nuk jam më në partinë e Behgjet Pacollit”, ishte përgjigjur Bahtiri.