Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi, me anë të një postimi në rrjetet sociale ka hedhur akuza kundër kryeministrit Edi Rama duke thënë se ai e përdor avionin e kompanisë Air Albania si charter personal.

Më tej Bardhi shkruan se Rama ka kaluar këtë fundjavë në Paris pa dhënë asnjë shpjegim apo njoftim zyrtar për arsyet e këtij udhetimi.

Reagimi i plotë i Bardhit:

Ndërkohë që vendi është mbërthyer nga kriza, Edi Rama zgjedh të kalojë fundjavën në Paris. Duke shfrytëzuar avionin e Air Albania-s si charter personal, Kryeministri ka kaluar këtë fundjavë në Paris pa dhënë asnjë shpjegim apo njoftim zyrtar për arsyet e këtij udhetimi.

Për ç’arsye Edi Rama përdor avionin e shtetit shqiptar si plaçkë personale?

Në këto ditë kaq të vështira për qytetarët si mundet që një kryeministër të shpenzojë për luksin e tij 100.000 euro të shqiptarëve për charter personal?

Ndërkohë që ka ende shumë shqiptarë që presin të riatdhesohen ai përdor avionin e shtetit shqiptar për arsye personale.

Si mundet që Kryeministri ta trajtojë shtetin si pashallëk dhe të plotesojë qejfet e veta për udhëtime turistike ndërkohë që shqiptarët janë më të varfër se kurrë?

RAMAVIRUSI që ka shkatërruar ekonominë e shqiptarëve, që ka varfëruar dhe lënë të papunë shumicën e tyre, shpërdoron fondet publike për interesa personale.

Shqipëria nuk është pashalleku i Edit të Surrelit. Mosha dhe zullumet e kanë plakur autokratin në ikje, që po braktiset çdo ditë nga qytetarët e ndershëm shqiptarë.