Një video rrëqethëse po qarkullon në internet ku shfaqet momenti kur një vajzë e re nxirret nga një gropë në të cilën ishte varrosur për së gjalli, pas një konflikti që familja e saj e kishte pasur me një biznesmen rreth një çështje pronësie.

Khushboo Khatun 19-vjeçe nga India, po kthehej në shtëpi kur tre burra i dolën përpara dhe filluan ta varrosin për së gjalli në një gropë të thellë një metër, të cilën më pas e mbushën me dhe e lanë të vdesë, transmeton Telegrafi.

Kur Kushboo nuk u kthye në shtëpi, babai i saj Muhammad Azim Ansari 43-vjeç dhe nëna Sanjana Khatun 40, filluan të brengosen dhe kështu vendosën të dalin jashtë për ta kërkuar.

Dhe kur Ansari vërejti një gropë të madhe që ishte hapur rishtazi dhe që ishte mbushur me dhe, ai filloi të dyshojë se bija e tij mund të jetë varrosur aty.

Ai menjëherë filloi të gërmojë dhe thirri bashkëfshatarët që ta ndihmojnë, dhe në fund rezultoi që parashikimi i tij të jetë i vërtetë, pasi brenda gropës ishte varrosur për së gjalli bija e tij e cila ishte ende gjallë.

Ajo kishte qëndruar brenda gropës për më shumë se dy orë, dhe ishte shumë pranë vdekjes pasi nuk kishte oksigjen të mjaftueshëm.

E gjithë ngjarja ka ndodhur për shkak të një konflikti pronësie të një biznesmeni me prindërit e vajzës, që nuk kishin rënë dakord për t’i shitur tokën për shumën që ata u kishin ofruar.

Pas denoncimit të ngjarjes, policia ka arrestuar personat përgjegjës, por raportohet se ky është vetëm një nga pak rastet në Indi, ku persona të papërgjegjshëm abuzojnë me shtresën më të varfër.

Në videon e publikuar më poshtë mund të shihni një grup të burrave të cilët e nxjerrin vajzën nga gropa në fshatin Govindpur në pjesën lindore të Indisë, të cilët menjëherë i hedhin ujë në fytyrë. /Telegrafi/