Organizata “Eco Guerilla” njofton opinionin publik dhe institucionet shtetërore se pas mbylljes së fabrikës së Jugohromit, në qytetin e Tetovës niveli i ndotjes ka rënë dukshëm.
“Sipas matjeve të bëra nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, kur krahasojmë nivelin e ndotjes gjatë muajit shkurt 2015 dhe shkurt 2016, dallimi është 41%. Ndërsa ajo që habit është që në periudhën e njejtë kohore, niveli i ndotjes në Shkup shënon një diferencë gati të padukshme – vetëm me 0,1%.
Tetova për dallim nga viti i kaluar nuk ka ulur as nivelin e veturave, as mënyrën e ngrohjes, as deponinë dhe as e ka ndryshuar klimën në krahasim me qytetin e Shkupit që diferenca te jetë kaq e madhe për 41%. Ndryshimi i vetëm është që tani këto dy muaj vetëm fabrika Jugohrom nuk punon. Numrat flasin sa 1000 fjalë.
Çdo tentativë për ta rihapur këtë fabrikë pa plotësuar standardet ekologjike për vendosjen e filtrave, do ta konsiderojmë si provokim ndaj qytetarëve të Tetovës. Nuk mund të tolerojmë pronarët dhe Qeverinë që nuk kan ndërmend të respektojnë as Kushtetutë as konventa ndërkombëtare, por vetëm tentojnë të blejnë kohë dhe të na shesin mjegull për të mbuluar të vërtetën”, thuhet në njoftim.