Lëvizja Eco Guerilla e vlerëson si tejet joserioz dhe shqetësues, qëndrimin e Ministrit të Mjedisit dhe Planifikimit Hapsinor z. Bashkim Ameti i cili për dështimin e deritanishëm të planit operativ për vendosjene filtrave në Jugohrom, për mediat deklaroi se ai “nuk është avokat i Jugohromit”. Ne kërkojmë fuqishëm që Ministri t’i përmbush detyrimet e tij për mbrotje të ambientit jetësor që burojnë nga Kushtetuta, ligjet dhe konventat ndërkombëtare. Nga përvoja e deritanishme, pikërisht kjo Qeveri ishte më tepër avokate e helmuesit Jugohrom, i cili duke u toleruar të punojë pa filtra, qytetarëve të Tetovës u “dhuron” çdo ditë nga 30 tonë pluhur. Përmes këtij reagimi, duam t’i përkujtojmë z. Bashkim Ameti, Ministër i Mjedisit, që mos t’i ikë përgjegjësisë dhe se roli i tij (si përfaqësues i popullit dhe i Qeverisë) do duhej të ishte ai i avokatit të qytetarëve dhe PROKURORIT i cili do ndëshkojë Jugohromin dhe çdo ndotës tjetër për shkelje të Kushtetutës dhe shkaktimin e dëmeve afatgjate në shëndetin e tetovarëve. Çdo tendencë për mosrespektim të afateve dhe blejre kohe nga Qeveria në favor të Jugohromit, do të konsiderohet si provokim i rëndë dhe tejkalim i vijës së kuqe për qytetarët e Tetovës. Herët a vonë të gjithë ata që nuk parandalojnë këtë krim do të ballafaqohen me drejtësinë. Zero tolerancë!