Pothuajse të gjitha partitë shqiptare në Maqedoni këtyre ditëve kanë heshtur dhe nuk po flasin para publikut dhe qyetarëve vendor nëse mënyra më e mirë dhe garancia më e fortë e të bërit plotësisht dhe kudo zyrtare ( po aq sa edhe maqedonishtja) të gjuhës shqipe është kushtetuta e Maqedonisë.
 Mirëpo për ndryshim, është pikërisht partneri i ri politik i BDI-së, LR-PDSh-së, pra LSDM-ja ajo e cila e ka sqaruar qéndrimin e saj përmes anëtarëve të saj të lartë; dhe të kahershëm, për Zhurnal.mk nëse duhet apo jo të ketë ndryshime kushtetuese për gjuhen shqipe.

Edmond Ademi, i LSDM-së së Zoran Zaevit (me gjasë kryeministrit të ardhshëm të Maqedonisë) ai i cili qartësohet publikisht për këtë çështje. 
Ademi i LSDM-së pikërisht si edhe kreu i BDI-së, Ali Ahmeti dhe shumë të tjerë nga radhët e kësaj partie mendon se zyrtarizimi i gjuhës shqipe ka një derë tjetër, përmes ligjit, pa pasur nevojë që të bëhen ndryshime kushtetuese.

 
Kështu tha anëtari i partisë së Zoran Zaev-it për Zhurnal.mk.

 
“Nuk ka nevojë të ndryshojë kushtetuta…” tha ai i pyetur nga Zhurnal.mk.

 
Sipas Edmond Ademit “meqenëse Kushtetuta si e tillë është liberale, e cila në vete përmban kornizat e Marrëveshjes së Ohrit nga 2001, ajo dhe si e tillë e jep hapësirën e nevojshme për realizimin e të drejtave edhe individuale edhe kolektive,” tha më tutje ai.

 
Ademi thotë, po ashtu se në Maqedoni kemi të bëjmë me çështjen e mos-zbatimit të ligjeve, edhe atyre që janë në fuqi, pra edhe për gjuhën shqipe.

 
“Ajo që është problem në Maqedoni është mos-implementimi i ligjeve. Ne kemi nevojë për implementim të përpiktë të ligjeve, dhe si të tillë të jenë në funksion të qytetarëve, dhe nevojave të tyre, si dhe ku shteti i së drejtës do jetë i njëjtë për të gjithë,” tha anëtari i lartë i LSDM-së, me të cilën BDI dhe LR-PDSh janë pajtuar për të formuar së bashku qeverinë e ardhshme dhe t’i rreken miratimit të ligjeve të reja për gjuhën shqipe dhe gjuhëve të pakicave të vendit, sipas interpretimeve të tyre të dokumentit i cili ende po mbahet larg syve të opinionit publik, përkatësisht qytetarëve të vendit dhe votuesve të të tre këtyre partive.

 
Ademi po ashtu është pyetur nga Zhurnal.mk edhe për deklaratat e Kryetarit të vendit Gjorge Ivanov dhe VMRO-DPMNE-së të cilat thonë se marrëveshja e tre partnerëve që bashkuan numrin e vendeve parlamentare për të krijuar shumicën aty e për të krijuar qeverinë e ardhshme, po bëjnë shkelje kushtetuese kur po planifikojnë ligje të reja të bazuara në platformën e partive politike shqiptare, e cila sidomos premton një shtirje më të madhe të përdorimit zyrtar të shqipes në nivele të tjera të institucioneve qendrore pos siç ishte edhe viteve të fundit në parlament.

 
Anëtari i LSDM, thotë se Ivanovi dhe VMRO-DPMNE e kanë gabim kur akuzojnë për shkelje të kushtetutës nga LSDM, BDI e LR-Dsh me këtë platformë dhe draft-ligjin e paralajmëruar pér gjuhén shqipe dhe kërkesave té tjera pér té drejtat e shqiptaréve.

 
“Edhe neni 7 i Kushtetutës ku qartë theksohet se ‘Gjuhë tjetër të cilën e flasin së paku 20% e shtetasve, gjithashtu, është gjuhë zyrtare…”; edhe neni 2 i ligji për përdorimin e gjuhës shqipe i miratuar vitin 2008, ku qartë definojnë përdorimin e gjuhës shqipe në organet shtetërore, tregojnë se asgjë nuk cenojmë Kushtetutën… tentimi i VMRO-DPMNE dhe Ivanovit se gjoja shkelet kushtetuta s’ka të bëjë gjë më realitetin,” tha Ademi.

 
Sipas Ademit arsyet e kundërshtimeve që vijnë nga VMRO-DPMNE dhe Ivanovi ka të bëjë nga ‘frika’ ‘ tyre nga puna e Prokurorisë Speciale e cila po merret më lëndën e korrupsionit në Maqedoni, dhe e cila mund të trokas deri në derën e njerëzve të lartë të VMRO-DPMNE-së.
 

Ademi madje akuzoi njerëzit e partisë konservative maqedonase për ‘krime’ për sa kohë ajo ishte në pushtet, së pari me PDSH-në e pastaj me BDI-në, që nga përfundimi i luftës së vitit 2001.

 
“Frika e tyre është Prokuria Speciale, dhe përgjegjësia e tyre individuale e kolektive, si kryesi e partisë VMRO-DPMNE-së, për krimet e bëra në 11 vitet e fundit si pushtet,” tha anëtari i LSDM-së për Zhurnal.mk.