Kryeministri Edi Rama i ashpërsoi tonet nga Berati, pasi mësoi live që presidenti Ilir Meta anuloi datën e zgjedhjeve lokale në 30 qershor.

Rama kërcënoi se zgjedhjet do të bëhen, ndërsa shkoi dhe më tej teksa tha se do të ketë burg për ata opozitarë që kanë bërë zullume.

“Plaku i marrë Saliu që i ka mbledhur të gjithë këta kokrra që nga Ilir Meta, Lulzim Basha, Monika Kryemadhi e i përdor si tespie të plakut merre. Mbajeni mend ca po iu them, zgjedhjet do bëhen. Mbajeni mend! Ato tespie do shpërbëhen nga duart e plakur dhe kokrrat do shpërndahen sa andej këtej. Pastaj me kokrrat me gunga do merret drejtësia”, theksoi Rama.

“Gabojnë shumë me këto lëvizje që bëjnë se unë jam gjithmonë tre lëvizje më përpara. Asnjëherë deri më sot nuk jam befasuar”, theksoi Kryeministri.

Presidenti Ilir Meta shfuqizoi datën e zgjedhjeve duke anuluar datën 30 qershor për mbajtjen e tyre. Përmes një deklarate për mediat, Presidenti bëri të ditur vendimin e tij, duke shprehur shqetësim për situatën e krijuar në vend, ku asnjë prej palëve politike nuk po bën hapa pas./ Opinion.al