Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka përkujtuar presidentin e parë të Kosovës, Ibrahim Rugovën, në rastin e përvjetorit të 72-të të lindjes së ish-liderit të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

I pari i qeverisë shqiptare, këtë e ka bërë përmes një postimi në rrjetin social Facebook. Ai e ka quajtur “Hero të Kosovës” ish-presidentin Rugova.

“Në 72 vjetorin e lindjes së tij, Heroi i Kosovës, Ibrahim Rugova, mund të përkujtohej me një mori fotosh apo klishe që shfaqin burrin e madh të Kosovës, kërkuesin e paepur gandian të mëvetësimit të Kosovës”, ka thënë Rama.

“Mbase, po kjo është veç një hamendje, i madhi Ibrahim Rugova do të kishte dashur të mbetej në kujtesë parësisht si publicisti i palodhur, njohësi i thellë e i pazëvendësueshëm i letërsisë së hershme shqipe në përgjithësi dhe kontributit të Bogdanit në veçanti, emrin e lindjes së të cilit, Pjetër, e përvetësoi si emrin e tij të amshimit”, është shprehur kreu i ekzekutivit shqiptar.

Rama e ka vlerësuar si një njeri të çmuar për Kosovës, presidentin e parë të Kosovës, njofton Insajderi.

“Ibrahim Rugova mbetet një “pjetër”- gur këndor, në ndërtimin e Kosovës së lirë, të pavarur mbi rrënjët e saj humaniste dhe shpirtërore. I paharruar kujtimi”, ka shkruar ai