Nga Edvin Lera

Përshëndetje Edi,

Unë nuk të kam dashur më që kur të votova në 2013., të kam sharë, kam gjetur argumenta të të dal kundra e të të shpërfill, kam bërë batuta me sjelljen, veshjen, deklaratat, çdo justifikim tëndin për çdo situatë. Kam sharë ministrat që ti ke zgjedhur, kam qeshur me gafat që ata kanë bërë, kam bërë shumë e shumë që të injoroj qeverisjen tënde, sepse unë nuk jam ngopur dhe as nuk jam kënaqur.

Ndoshta janë të gjitha, ndoshta janë një pjesë të vërteta ato që thashathemojmë për ty, se ti vjedh dhe ke vjedhur, pasurohesh dhe abuzon me pushtetin që të kemi dhënë, ndoshta është e vërtetë që ti kë miqësi vetëm me oligarkë, por sot…, Edo, unë nuk e di si po të shoh dhe, po të shoh ndryshe nga ç’të kam parë deri në 16 Mars.

O Edo, a na mbyll dot deri në fund të flamës, kështu si na mbylle sot? Të lutem bëje dhe, unë që po ta kërkoj jam një nga rebelët që të gjuajnë e të shajnë dhe, bëjnë batuta me sjelljen dhe qasjen tënde me ato që ne dëshirojmë (nuk e di a kemi menduar dot ndonjëherë se për çfarë kemi nevojë?).

Kjo është e tepërt, por e vërtetë dhe, edhe unë kam folur me të dashurit, miqtë e shokët e mi të pakënaqur edhe për familjen tënde dhe familjarët e tu. Nuk ja vlen që tani, vetëm se e pranova të kërkoj ndjesë, e kam bërë dhe kaq. Po të jesh i mençur sa duhet, ti vetë do shahesh më shumë sa kam bërë unë dhe ata të tjerët bashkë me mua.

Unë sot nuk po të drejtohem zoti Kryeministër, as zoti Rama dhe me asnjë titull apo gradë tjetër, sepse unë sot po të shoh të barabartë me veten në ankthin, frikën, pasigurinë dhe errësirën e të nesërmes.

Por, Edo, ti sot bëre një gjë më shumë se mua…

Nuk e di sa është e vërtetë se ti sot Edo, mendove për prindërit e mi pensionistë të cilët edhe unë i shoh jo përditë dhe në orare të caktuara, për vajzën time që mua po më qan shpirti ta takoj dhe nënën e saj, mendove dhe për mua që të kam sharë dhe, të premtoj se nesër, kur të mbarojë e gjitha kjo, do të shaj prapë, do ironizoj dhe do bëj batuta me ty personazh.

Falemnderit Edi. Kushdo, ashtu si edhe unë, ka të drejtë të mendojë se ti e ke për detyrë të mendosh për të gjithë dhe, ashtu sit ë gjithë, unë bashkë me këdo, harrojmë që edhe përgjegjësitë e detyrimet, të drejtat dhe privilegjet, kanë një kufi, sepse edhe ti je një i vdekshëm dhe i infektueshëm si ne, ke fëmijë, grua, nënë e vëlla, por sot unë e ndjej veten pranë tyre, pothuajse i barabartë.

Ti nuk i njeh prindërit, vajzën time dhe nënën e saj, ti nuk më njeh mua, nuk njeh shoqen dhe shokun tim, nuk e di fare se çfarë po bëj unë tani përveç se po të shkruaj ty. Si ka mundësi që ti e gjete dhe e bëre që unë të ndjehem i qetë në vetminë e izolimit tim?, si e gjete që unë kisha nevojë që të gjithë të vetizoloheshin njësoj si unë?, si e gjete që unë sot kam të drejtë që egoizmin tim ta shes dhe ta prezantoj si gjestin më sublim altruist?

Edi, unë përsëri do bëj batuta, do ironizoj me ty, do rebelohem kundra teje, por të lutem shumë Edo, deri atëherë, kështu si sot e shtunë, 21 mars, na bëj të të drejtohemi kështu me ti si të barabartë, vazhdo mendo kështu sepse ti e di sot më mirë se kushdo se si duhet të bëjmë sepse di se sa mund të bëjmë, duro edhe ca të shara më shumë, mos u tut as fare dhe thuaju të gjithëve (edhe mua bashkë me të gjithë, me shumë arrogancë), DO JU SHPËRNDAJ ME GAZLOTJESLLËS, DO JU DËNOJ, GJOBIS E Ç’TË DUASH TI, POR MOS NA LËR TË VETË E BASHKËVRITEMI RRUGËVE.

Edi, deri në prill, maj apo qershor unë nuk do të përmënd asgjë nga ato që të kam sharë dhe përgojuar (jo se nuk i meriton), nuk do të kërkoj llogari për rrogën time të vogël (jo se nuk e meriton), nuk do të kërkoj llogari për kapacitetet spitalore (jo se nuk e meriton), do të të mbështes t’i thuash kujtdo “eja e bëhu kryeministër, zgjidh ministrin e shëndetësisë që do, ministrin e brendshëm që do, atë të ekonomisë e të mbrojtjes që do, por edhe ti do të jesh njësoj i infektueshëm me të gjithë”, nuk do të kërkoj asgjë fare fare, as nuk do të drejtohem me zoti apo kryeministër sepse ti sot je njësoj i infektueshëm ashtu si edhe unë, por të lutem shumë Edi, deri në prill, maj apo qershor, më detyro duke më shkelur dhe dhunuar çdo të drejtë timen, që unë të rri në shtëpi e mos të dal kot për të takuar shokët dhe të qesh e të pështyj në tokë.