Sezoni dimëror turistik është në kulmin e tij, por mangësitë dhe problemet janë shfaqur pikërisht tani kur të gjithë kanë nevojë për shërbime. Kanë kaluar më shumë se një muaj që teleferiku me gjashtëulëse në Kodrën e Diellit vazhdon të mos jetë funksional, përkundër faktit se premtimet ishin që i njëjti do të funksionojë “shumë shpejt”.

Teleferiku jofunksional iu ka kushtuar qytetarëve 581 milionë denarë apo 9.5 milionë euro, ndërsa askush nuk mban llogari se çfarë po ndodh. Kontrata e parë për ndërtimin e teleferikut është nënshkruar me 10 mars 2014, ndërsa edhe pas 7 viteve qytetarët nuk mund të shfrytëzojnë dobitë e tij.

Qytetarët kërkojnë shërbime adekuate ndërsa me këtë qendër turistike askush nuk po merret viteve të fundit. Gjatë vikendit kolonat për të arritur në pjesën kryesore të kësaj qendre turistike, arrijnë deri në 4 kilometra, kjo për shkak të mungesës së parkingjeve. Qytetarë të cilëve shkojnë për relaksim, pushimi u kthehet në ecje të gjata dhe stresuese, ku shohin grumbuj mbeturinash dhe mosfunksionim të ski lifteve. Ende gjithçka funksionon si në kohën primitive që fatkeqësisht kjo qendër dikur ishte top-destinacioni i turistëve nga e gjithë bota.

Qytetarët e Maqedonisë së Veriut për turizëm dimëror shkojnë në Bullgari ose në qendra tjera, edhe pse Kodra e Diellit dhe Mavrova janë dy qendrat të cilat kanë emër të njohur në ish-Jugosllavi. Qeveritarët siç duket nuk dinë si të veprojnë. Disa duan shitjen e plotë apo të pjesshme të Kodrës së Diellit ndërsa të interesuara janë disa kompani, mes tyre nga Zvicra, Italia, Austria por edhe Katari. Gjatë vitit të ardhshëm, Qeveria do të publikojnë shpallje për shitjen e kësaj qendre turistike. Si shpëtim i vetëm i Kodrës së Diellit ka ngelur vetëm shitja e plotë apo partneriteti publiko-privat sepse kompania Elem Turs ka dështuar në menaxhimin e kësaj qendre turistike.

Në fillim të sezonit ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi premtoi se do të kërkojë llogari nga Elem Turs për mosvënien në funksion të teleferikut me gjashtëulëse në Kodrën e Diellit, por sezoni po përfundon e teleferiku mbetet në vend. Ministri i Ekonomisë i “rrudh krahët” nga çdo përgjegjësi personale edhe pse ai është personi më përgjegjës për zhvillimin e turizimit.

Por, nga paaftësia për të treguar pushtet, Bekteshi fajin e kërkon te kompania Elem Turs, për të cilën thotë se atas ende nuk kanë emëruar drejtor të ri dhe në këtë mënyrë nuk ka se kush t’i japë përgjegjësi. E përderisa presin nga Elem të zgjedh drejtorin e ri, sezoni dimëror po përfundon dhe pastaj është e kotë gjithçka. Drejtori i Kodrës së Diellit ka premtuar disa herë funksionalizimin e këtij teleferiku, ndërsa së fundmi dy ditë para fillimit të sezonit turistik ka deklaruar se është shumë i sigurt se me hapjen e sezonit, do të fillojë me funksionim edhe gjashtëulësja që ende nuk ka ndodhur.

Kreshnik Bekteshi duhet të mbajë përgjegjësi si ministër i cili për dy mandate nuk arriti të lëvizë përpara zhvillimin e turizmit, duke mos patur asnjë investim në turizëm, qoftë ndërtim të hoteleve në qendrat verore ose dimërore. Maqedonia e Veriut ka kapacitetet të shumta, por fatkeqësia është se ministri që duhet të zhvillojë ekonominë nuk ka asnjë ide si të veprojë. Maqedonia e Veriut mund të jetë një ndër destinacionet kryesore të turizmit dimëror, me standarde evropiane që mund t’i konkurojë Bullgarisë, Sllovenisë e Italisë. Nëse turizmi dimëror është shumë i zhvilluar në këto vende, e fatmirësisht Maqedonia e Veriut e ka pasur këtë epitet në të kaluarën si destinacion kryesor i skiaotërvë më të mirë në botë, por tani gjithçka u shkatërrua. Në Kodrën e Diellit janë mbajtur gara të ndryshme ndërkombëtare, por me menaxhimin kaq të dobët dhe duke dashur që secili ta përvetësojë dhe privatizojë këtë qendër, e kanë sjellë në nivelin më të ulët të zhvillimit këtë qendër turistike.

Ministri Bekteshi ende nuk ka dalë e të prezantojë një projekt konkret se si e mendon ta zhvillojë turizimin, ai nuk ka një projekt të gatshëm që t’ua ofrojë investitorëve të huaj dhe atyre vendorë. Bekteshi dështoi edhe me zhvillimin e turizmit veror. Në liqenin e Ohrit nuk kemi asnjë investim të mirëfilltë. Hotelet janë në gjendje të mjerueshme, nuk ka strategji të mirëfilltë të zhvillimit, rritje të kapaciteteve të dhomave, ndërtim të hoteleve me pesë yje, sjelljen e brendeve ndërkombëtare të hoteleve etj. Fatkeqësisht Bekteshi bashkë me Angjushevin më shumë shfaqnin interes për projektet ku ka përfitime personale se në projektet që do të sillnin përfitime dhe dobi për qytetarët e këtij vendi.

Andaj, ngjashëm si me gjashtëulëse, ngjashëm sikur me qendrën e Kodrës së Diellit, ngjashëm sikur me Liqenin e Ohrit, Bekteshi dështoi të zhvillojë në tërësi ekonominë e këtij vendi.