Portali fol.mk, nga burime të besueshme brenda LR PDSH, ka siguruar një kopje të propozim marrëveshjes që LR-PDSH u ka dërguar partive opozitare jashtëparlamentare për koalicionim gati dhjetë ditë para se Bilall Kasami të dërgojë ftesë publike për bashkëpunim opozitar. Në këtë propozim marrëveshje të LR-PDSH dërguar partive shqiptare jashtëparlamentare për koalicionim vërehen principet kryesore edhe planet konkrete të realizimit të kësaj marrëveshje. Në pikat kyçe të propozim marrëveshjes së LR-PDSH-së dërguar partive jashtëparlamentare shqiptare përfshi këtu edhe Levizjen BESA, vërehet qartë që pikat kryesore janë po ata të mirënjohura në opinion, që tashmë janë identit i kësaj lëvizje politike me karakter kombëtar. Më poshtë ju sjellim të plotë një kopje të kësaj propozim marrëveshje nga e cila do të ngelet në vlerësimin e lexuesit për t’u dhënë përgjigjë dilemave të shumta që mund t’i kenë, ndër të cilat dy ngelin me kryesoret, pse Lëvizja BESA nuk ka vazhduar bisedimet në bazë të kësaj propozim marrëveshje nga LR-PDSH, por publikisht në mënyrë të njëanshme ftoi për bashkëpunim opozitar në hotelin “Aleksandër Pallace”? Pse Lëvizja BESA nuk e pa të arsyeshme t’i përgjigjet pozitivisht ftesës së Shoqatës së ish te burgosurve dhe të përndjekurve politik? Po ashtu parashtrohet dilema, pse LR-PDSH këtë ofertë dhe propozim marrveshje konkrete nuk e bëri publike? Redaksia jonë me kopjen nga propozim marrveshja që ka siguruar do e lë që lexuesit vetë të vlerësojnë se kush e ka me seriozitet çështjen e bashkimit opozitar dhe kush e përdor për show mediatik!

 Teksti i plotë i Propozim Marrëveshjes së dërguar nga LR-PDSH :

 

 

            Të nderuar,

            Gjendja e rënduar politike, ekonomike dhe sociale e shqiptarëve të Maqedonisë, e përcjellur nga diskriminimi, mohimi i të drejtave elementare dhe proceset e montuara politike, imponojnë kërkesën për bashkëpunim dhe bashkëveprim parazgjedhor. 

Përgjegjësia politike në këto kohëra të vështira paraqet një moment të ri, historik për shqiptarët e Maqedonisë, atë të krijimit të një alternative të unifikuar dhe të shëndoshë që do të reflektojë dhe jep shpresë për konfigurimin e politikave të gjithëmbarëshme strategjike, kombëtare, ekonomike, sociale, arsimore dhe zhvillimore.

Është interes i përbashkët kombëtar perspektiva e shqiptarëve, artikulimi i të drejtave të ligjshme dhe të pakontestueshme, e cila duhet të sjellë barazinë e plotë si dhe faktorizimin  tonë si komb shtetformues në Republikën e Maqedonisë.

Pas mos-implementimit të Marrëveshjes së Ohrit, deformimeve dhe modifikimimeve substanciale që në mënyrë të papërgjegjshme ia bënë të gjitha pushtetet e deritanishme, pa përjashtim, imponon përcaktimin tonë që kësaj rradhe të jemi të kujdeshëm dhe këmbëngulës në zbatimin praktik të marrëveshjeve që duhet të bëhen me palën maqedonase.

Synimi i shqiptarëve të Maqedonisë për funksionim konsensual të qeverisë, për të fituar të drejtë përdorimi zyrtar të gjuhës Shqipe, për të realizuar ndarje proporcionale të buxhetit me prerje lokale, për decentralizim të mirëfilltë të pushtetit, për të qenë pjesë integrale e strukturave euroatlantike të NATO-së dhe BE-së, imponon nevojën e bashkëpunimit shumë dimensional për të bërë kthesë politike në zgjedhjet e ardhshme, për të faktorizuar cdo votë të vetme të shqiptarëve përmes një liste të përbashkët.

Me këtë rast,

Lëvizja për Reforma-PDSH  –

Propozon Marrëveshje Politike për Koalicionim

Duke drejtuar këtë dokument, deri te Lëvizja ”BESA” për lidhjen e koalicionit parazgjedhor, bazuar në pikat e mëposhtëme:

Pikat e Marrëveshjes:

  1. Dakordimi për pjesëmarrje në Zgjedhjet Parlamentare me një Platforme të përbashkët zgjedhore, me të cilën do të harmonizohen të gjitha palët pjesëmarrëse në këtë koalicion dhe njëkohësisht do të ketë gjithnjë prioritet mbrojtjen e interesave kombëtare të shqiptarëve të Maqedonisë.
  2. Pjesëmarrje në zgjedhjet vijuese parlamentare më një listë të përbashkët të kandidatëve, të partive politike opozitare të cilat do të dakordohen me Marrëveshjen.
  3.  Bashkërendim të aktiviteteve parazgjedhore, përfshirë dhe aktivitete të koordinuara strategjike pas procesit zgjedhore (Aneks i veҫantë)
  4. Kushtëzim të pjesëmarrjes në qeveri nëse pala fituese në kampin politik maqedonas nuk përmbush detyrimin ndaj pikave të përbashkëta të platformës.
  5. Nëse koalicioni lidhet bazuar në këto kritere, atëherë Marrëveshja e arritur është e plotëfuqishme dhe të gjitha palët obligohen ti përmbahen të njejtës që nga momenti i hyrjes në fuqi e deri në mbajtjen e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare (nga ky cikël zgjedhor e deri në ciklin e ardhshëm të zgjedhjeve parlamentare ).

 

 Plani aksional si të arrihet kjo?

        Faza e parë

  • Më së voni deri me 8 Tetor subjektet politike duhet të deklarohen nëse i  pranojnë pikat e marrëveshjes dhe të formojnë ekipe punë që do të  harmonizojnë qëndrimet e subjekteve politike respektive, dhe do të punojnë në realizimin e plotë të kësaj marrëveshjeje.

        Faza e dytë

  • Ekipet negociatore do të formojnë ekip të posaҫëm, për realizimin e një sondazhi të përbashkët dhe intern, që do të jetë në funksion të identifikimit të peshës specifike politike të secilit subjekt vec e vec, që mëtej do të ndihmojë në ndarjen e kuotave për përpilimin e listave të përbashkëta, (ky ekip duhet të jetë i kompletuar deri me datën 10 Tetor).
  • Ekipi i posaҫëm për realizim të sondazhit më së voni, deri më 25 Tetor duhet të ketë të përgatitur raportin me konsensus të të gjitha palëve.
  • Ekipet negociatore duhet që deri me datë 15 Tetor të kenë të kompletuara ekipet e posaҫme juridike që do hartojnë platformën e përbashkët zgjedhore dhe platforma zgjedhore të jetë e gatshme me 22 Tetor.

 

Faza e tretë:

  • Më datë 28 Tetor të bëhët publik bashkëpunimi dhe nënshkrimi i Marrëveshjes.
  • Shtabet zgjedhore të subjekteve respektive duhet ta kenë të gatshëm planin operacional dhe strategjinë për bashkërendim të aktiviteteve zgjedhore më së voni deri më datë 1 Nëntor.

 

Shënim/ kjo marrëveshjeështë dërguar në mënyrë protokollare deri:

 

  • Lëvizja Besa
  • Uniteti
  • Partia Për Prosperitet Demokratik

 

propozim-marreveshje-1propozim-marreveshje-2

© fol.mk