Policia Financiare po kryen hetim në dy ndërmarrje publike të themeluara nga Komuna e Tetovës, këtë e konfirmoi për Portalb drejtori i Policisë Financiare të RMV-së, Arafat Muharemi. Aktualisht për keqpërdorime të mundshme hetohet Ndërmarrja Publike Komunale “Tetova” (NPK) dhe Ndërmarrja Publike “Parkingjet e Qytetit” në Tetovë. Jozyrtarisht mësojmë se Xhelal Ceka është shkarkuar nga pozita e drejtorit të NPK-së, ndërkaq te “Parkingjet e Qytetit” vazhdon të jetë drejtori i njëjtë, shkruan Portalb.mk.

Drejtori i Policisë Financiare nuk deshi të jap më shumë informacione, meqenëse hetimi për dy ndërmarrjet publike vazhdon, megjithatë, ai konfirmoi se Policia Financiare aktualisht është në dy ndërmarrjet e lartpërmendura.

“Mundem të konfirmoj informacionin se për momentin jemi në hetime në ndërmarrjet e përmendura më lartë” tha për Portalb.mk, Arafat Muharemi.

Portalb.mk mëson jozyrtarisht se është shkarkuar ish drejtori i Ndërmarrjes Publike Komunale, Xhelal Ceka, dhe se në vendin e tij tash me këtë ndërmarrje do të udhëheqë Tushi Dervishi.

Nga Komuna e Tetovës nuk përmendën emra, megjithatë, konfirmuan informacionin se në Ndërmarrjen Publike Komunale (NPK) ka udhëheqësi të re.

“Për Ndërmarrjen Publike Komunale do të drejtoheni te menaxhmenti i ri i ndërmarrjes” thanë nga Komuna e Tetovës.

Portalb.mk vazhdimisht ka informuar për punën e dy ndërmarrjeve të lartpërmendura

Në fund të vitit 2020 Portalb-i publikoi raportet financiare të NP “Parkingjet e Qytetit” nga ku rezultoi se kjo ndërmarrje vazhdimisht ka punuar në humbje, madje edhe në kohën kur nuk kishte pandemi ndërsa gjithsej 25 mijë euro në muaj i destinon vetëm për paga të punonjësve.

Ndërmarrja Publike “Parkingjet e Qytetit” ka marrë kredi nga Komuna e Tetovës edhe atë mijëra euro, në fund të vitit 2020 kjo ndërmarrje e cila aktualisht është nën hetime nga Policia Financiare mori 100.000 euro kredi nga Komuna e Tetovës, kjo kredi u votua nga shumica e këshilltarëve komunal.

Teuta Arifi, kryetare e komunës së Tetovës.
Teuta Arifi, kryetare e komunës së Tetovës.
Rikujtojmë se kryetarja e komunës së Tetovës, Teuta Arifi, arsyetonte kërkesën e vazhdueshme të kësaj ndërmarrje për kredi, e njëjta tha se situate me virusin korona është fajtore se pse kjo ndërmarrje ka punuar në humbje. Megjithatë, sot kjo ndërmarrje hetohet nga Policia Financiare.

“Ndërmarrja e parkingjeve nuk ka qenë ndërmarrje që ka funksionuar me humbje, përkundrazi gjithmonë vitin e ka përfunduar me konto pozitive dhe ja pse, ka periudha vjetore si janari, shkurti dhe marsi kur ka më pak të ardhura për shkak të motit, orarit të shkurtuar por që zakonisht ndërmarrja atë e kompenson gjatë muajit të verës kur ne kemi fluks të madh të lëvizjes së qytetarëve dhe të bashkëvendësve tanë të cilët vinë dhe i kalojnë pushimet këtu dhe fundi i vitit atyre ju del pozitiv” tha kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi në nëntor të vitit 2020.

Edhe Ndërmarrja Publike Komunale “Tetova” në krye me ish drejtorin Xhelal Ceka vazhdimisht ka punuar në humbje ndërkaq disa herë kanë marrë kredi nga Komuna e Tetovës. Ritheksojmë se kredia u është mundësuar nga shumica e këshilltarëve komunal.

Në tetor të vitit 2020, nga Ndërmarrja Publike Komunale “Tetova” siguruan nga Komuna e Tetovës gjithsej 26 milion denarë në formë kredie, atëherë potencuan se me këto mjete do të paguhen punonjësit.