Ekspertët e sigurisë në Kosovë e në Maqedoni nuk e përjashtojnë përshkallëzimin e mëtutjeshëm të situatës. Sipas tyre, situata mund të përkeqësohet edhe më tutje në qoftë se liderët partiakë vendosin interesat personale para vendit.
 

Përshkallëzimi i situatës në Kuvendin e Maqedonisë para dy ditësh pas zgjedhjes së Talat Xhaferit, kryeparlamentar, konsiderohet të ketë qenë i parapërgatitur.

Kështu së paku thonë njohësit e çështjeve politike në Maqedoni, të cilët vlerësojnë se pas tërë kësaj vetëm bashkësia ndërkombëtare mund ta sjellë një zgjidhje. Nga ana tjetër, ekspertët e sigurisë në Kosovë e në Maqedoni nuk e përjashtojnë përkeqësimin e situatës. Sipas tyre, situata mund të përshkallëzohet edhe më tutje në qoftë se liderët partiakë vendosin interesat personale para vendit, shkruan sot, gazeta Zëri.

Nga ana tjetër lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, i cili ditën kur ndodhi incidenti u lëndua deri në përgjakje, ka thënë se tensionimi i situatës ka pasur të bëjë me tentim të menduar për vrasje.

Ndërkohë, lideri i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski, ka fajësuar LSDM-në për një gjë të tillë. Pavarësisht kundërshtimeve, Xhaferin për kryetar Kuvendi tashmë e ka njohur faktori ndërkombëtar. Gjatë incidentit të fundit në Kuvendin e Maqedonisë u lënduan disa deputetë, kryetarë partish e gazetarë.