– Mbi 12 miliard denarë ose 196 milion euro janë kthyer tek firmat në gjysmën e parë të këtij viti përmes kthimit të rregullt të TVSH-së, në bazë të të dhënave nga Ministria e financave për kthim të TVSH-së ndaj firmave përfshirë dhe muajin qeshor, kthim ky që është më i madh për rreth 20% më shumë nga viti i kaluar ose për rreth 2 miliard denarë.

Nëse bëhet dallimi me vitin 2017, kthimi i TVSH-së në gjysmën e parë të vitit është më i lartë për 3.2 miliard denarë ose rreth 37%, kurse në dallim me vitin 2016 kthimi është më i lartë për 4.9 miliard denarë ose 69%.

Zëvendësministrja e financave Shiret Elezi thekson se kthimi i rregullt i TVSH-së përmirëson likuiditetin e firmave në vend.

“Kthimi në kohë dhe jo selektiv i TVSH-së është shumë i rëndësishëm për punën operative dhe pa pengesë tek firmat por edhe për aktivitetin e tyre investues, andaj Drejtoria për të ardhura publike ka bërë edhe Modelin për kthim automatik të tatimit ndaj të gjithë tatimpaguesve, qëllimi kryesorë është realizimi në kohë dhe preciz ndaj të gjithë tatimpaguesve”, sqaron kështu zëvendësministrja Elezi.

Zëvendësministrja e financave Elezi thekson se tendencat pozitive në ekonomi shihen edhe përmes pagesës së tatimit përfshirë këtu edhe TVSH-në, ndërsa shton se forcimi i aktivitetit të firmave tregon edhe rritjen e lartë të investimeve bruto nga 9.9% në tre mujorin e parë të vitit 2019.