Emrat që përfliten nga Bashkimi Demokratik për Integrim për Qeverinë e re të Maqedonisë nuk janë për tu habitur. E as ata të LSDM-së. Alsat i sjell këto emra.

Hazbi Lika – Zv/kryeministër për Sistem Politik e Marrëdhënie mes Komuniteteve. Lika që nga viti 2009 nuk ka qenë aktiv as në parti e as në jetën politike. Ai më herët ka ushtruar postin e kryetarit të Komunës së Tetovës. Në vitin 2003 ka qenë zëvendësministër i Brendshëm, periudhë që shquhet për punësimin e policëve shqiptarë me libreza partiake.

Sadulla Duraku – Ministër i Ekologjisë. Aktualisht është kryetar i Komunës së Likovës, ndërsa në qeverisjen e kaluar LSDM- BDI ka qenë ministër i Bujqësisë.

Bujar Osmani– Zv/kryeministër për Çështje Evropiane propozim i degës së Çairit. Me përzgjedhjen e Osmanit është djegur mundësia e Izet Mexhitit për të qenë ministër i Ekonomisë siç flitej deri tani. Zëdhënësi Osmani në Qeverinë e Gruevskit ka qenë ministër i Shëndetësisë ndërsa përmendej edhe në bombat e opozitës.

Adnan Jashari – Ministër i Drejtësisë. Në kohën kur ushtronte po të njëjtën detyrë në vitet 2014-2016, nuk u bë asnjë lëvizje milimetrike në drejtim të reformave në drejtësi dhe në rishqyrtimin e proceseve të montuara politike. Jashari njihet edhe si ndër promovuesit kryesor për simbolin e luanit në stemë i cili atë kohë shkaktoi reagime të shumta në opinion.

Ndërkohë edhe shefi i kabinetit të kryetarit të BDI-së, ka mbetur jashtë listës së ministrave. Edhe pse fillimisht Artan Grubi ishte kërkuar në një nga postet e “arta” në strukturat e rendit përfshi edhe DSK-në.

Nga ana tjetër pritet që të favorizohet pikërisht nga BDI-ja edhe pse nuk është kuadër i saj, Vesel Mehmedi. Ai përflitet për postin e ministrit të Pushtetit Lokal që i takon Aleancës për Shqiptarët. Kësaj partie i takon edhe posti i Ministrit të Shëndetësisë, që do të drejtohet nga Arben Taravari.

Lëvizja Besa është ende duke taktizuar për pjesëmarrjen eventuale në Qeveri, duke iu referuar dokumentit me 5 pika të parashtruar ditë më parë në të cilën kërkon sqarime lidhur me ridefinimin e shtetit.

Ndërsa emrat më të përfolur nga LSDM-ja për në ekzekutiv janë:

Oliver Spasovski – Ministër i Punëve të Brendshme
Radmilla Sheqerinska – Ministre e Mbrojtjes
Dragan Tevdovski – Ministër i Financave
Nikolla Dimitrov – Ministër i Punëve të Jashtme
Milla Carovska – Ministre e Punës dhe Politikës Sociale