Partitë politike që përbëjnë mazhorancën, akoma nuk kanë plan për thirrjen e Kuvendit, zgjedhjen e kreut të ri, votimin e qeverisë së re ose shpalljen e zgjedhjeve lokale që më së voni duhet të ndodh të hënën. Që pas vendimit të presidentit Gjorge Ivanov ku kreut të LSDM-së ju mohua marrja e mandatit për formimin e kabinetit qeveritar, nga LSDM-ja thonë se zgjidhjen do e kërkojnë përmes Kushtetuetës. Ata kërkojnë që fillimisht të marrin mandatin por nuk përjashtojnë as alternativat tjetër që çojnë drejtë formimit të ekzekutivit. Plan për daljen nga situata nuk kanë as partitë shqiptare. Nga Aleanca për Shqiptarët, kërkojnë formimin e shpejtë të qeverisë së re për të zgjidhur problemet e krijuara nga pushteti aktual.

 Ne si Aleanca për Shqiptarët jemi të gatshëm që të dalim në zgjedhje lokale në afatin e paraparë megjithatë duhet të theksojmë se Maqedonia gjendet në një krizë politike dhe ka funksionim paralel të sistemit kështu që nuk besojmë se kjo përbërje qeveritare mund të organizojë zgjedhje dhe besojmë se përbërja e re qeveritare të organizojë zgjedhjet, një Qeveri stabile dhe të organizojë zgjedhje të lira dhe demokratike – deklaroi Elmir Sejfullai nga Aleanca për Shqiptarët.

Megjithatë mbetet e paqartë nëse ish kreu i Kuvendit Trajko Veljanovski, deputet nga radhët e VMRO-DPMNE-së, do të thirr vazhdimin e seancës së parë. Për një gjë të tillë ai nuk ka dhënë asnjë sinjal, pavarësisht thellimit të krizës. Rregullorja e Kuvendit nuk parashikon opsione të tjera, në rast se deputeti që ka caktuar seancën konstituive refuzon të thirr edhe vazhdimin e saj.

 Deputeti që e ka thirr seancën e parë, kryeson me seancën e Kuvendit deri sa kryetari i ri ose njëri nga nënkryetarët nuk e merr detyrën – thuhet në rregulloren e Kuvendit.

VMRO-DPMNE vazhdon të mos pranojë një koalicion Qeveritar mes LSDM-së dhe partive shqiptare. Normalizimin e situatës, ata e shohin përmes organizimit të zgjedhjeve të reja parlamentare bashkë me ato lokale.

 Zgjedhjet lokale po afrohen dhe dalja më e mirë nga kjo krizë është që Zoran Zaev të marrë guximin dhe ta vendosë platformën e gjithë partive shqiptare para qytetarëve. Me shpenzimet e njëjta, ata do të votojnë edhe për pushtetin lokal por do të shprehen edhe rreth platformës nga Tirana – thonë nga VMRO-DPMNE.

Kodi Zgjedhor parashikon mbajtjen e lokaleve në gjysmën e parë të muajit maj, ndërsa zyrtarisht ato duhet të shpallen nga kryetari i Parlamentit 70 ditë para mbajtjes./Alsat