Deponia në hyrjen e qytetit në Tetovë mbetet problem shqetësues për banorët. Premtimi i autoriteteve për transferimin e saj në pikën e re të ngarkim shkarkimit, jo vetëm që nuk është realizuar, por e njëjta vazhdon edhe më tej të mbushet dhe të zgjerohet.

Përgjegjësi për higjienë i Ndërmarrjes publike komunale, në prononcimin e tij dhënë para një muaji, tha se në fillim të majit, pika e re do të vihet në funksion.

 Jemi në pjesën finale të rrumbullakimit të stacionit të ngarkim shkarkimit, besoj që kah fundi i muajit apo filli i muajit maj kjo punë do të kryhet –tha Nazif  Jashari NPK Tetova.

Të kontaktuar për problemin në fjalë, nga ndërmarrjen publike komunale tani thonë se pika e re e ngarkim shkarkimit do të vihet në funksion javën e ardhshme dhe se deri atëherë pritet furnizimi edhe me kontejnerë të ri.

“Përveç pikës për ngarkim shkarkim në hyrje të qytetit që vazhdon të mbushet dhe jo të zbrazet siç u premtua, vazhdon të mbushet edhe pjesa e urës në hyrje të qytetit, me materiale të forta, dhe gurrë, po ashtu edhe me mbeturina, siç e shihni pas meje”.

Banorët e lagjes së poshtme të Tetovës në zemër të të cilës ndodhet deponia, refuzuan të dalin para kamerave, duke thënë se tani e tutje do të merren me padi dhe jo me prononcime.

Ndryshe, pika e re për ngarkim shkarkim që do të jetë jashtë qytetit, edhe pse pritej që të jetë tip hangari, pra e mbyllur, e njëjta sërish do të jetë e hapur që përveç kundërmimit të erës së keqe rrezikon edhe djegien e mbeturinave.