Presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan sot e dënoi vendimin e Qeverisë holandeze, e cila e tërhoqi lejen për aterim në territorin e vendit të aeroplanit me të cilin ministri turk i Punëve të Jashtme, Mevlut Çaushogllu duhej të arrinte në tubimin në Roterdam, duke deklaruar se holandezët janë “mbetje nga nazistët dhe fashistët”.

Siç lajmëroi TASS, Erdogan u kërcënua se Ankaraja do të përgjigjet në mënyrë adekuate ndaj vendimit të Holandës.

“Do të shoh se si pas kësaj aeroplanët holandezë do të fluturojnë në Turqi. Dhe këtë e mendoj për diplomatët, e jo për qytetarët e zakonshëm”, tha Erdogan.

Çaushogllu sot në mëngjes paralajmëroi se sot do të udhëtojë për në Roterdam, për të marrë pjesë në tubimin e pjesëtarëve të bashkësisë së atjeshme turke, në prag të referendumit kushtetues në Turqi, edhe pse prefekti i Roterdamit, Ahmed Abutaleb e ndaloi vizitën e tij.

“Sot shkoj në Roterdam. Do t’i vendosim sanksione të ashpra Holandës, nëse e ndalon vizitën”, deklaroi Çaushogllu.

Pas kësaj Qeveria holandeze e tërhoqi lejen pçër aterim në vend të aeroplanit të Çaushogllut, duke e arsyetuar vendimin me qëndrimin se druan që qëndrimi i ministrit turk në Roterdam do të mund ta “rrezikonte rendin dhe qetësinë publike”.

Lidhur me paralajmërimin e Çaushogllut për “sanksione të ashpra”, Qeveria holandeze vlerësoi se “këto kërcënime e bëjnë të pamundur zgjidhjen e problemit”.

Çaushogllu në Roterdam duhej të fliste në një tubim të pjesëtarëve të komunitetit të atjeshëm turk, që e organizojnë autoritetet në Ankara, për t’i nxitur turqit në Holandë që të votojnë në referendumin për ndryshim të Kushtetutës së Turqisë, me çka rriten kompetencat e shefit të shtetit.

Ndalesa e Berlinit për pjesëmarrje të dy ministrave turq në tubime mbsëhtetëse për ndryshimet kushtetuese në Gjermani, shkaktoi përkeqësimin serioz të marrëdhënieve turko-gjermane.