Alsat M Logo
Alsat M Search


Marrëveshja e Dejtonit detyrimisht duhet të rishikohet meqenëse është bërë e qartë se nuk arriti të sjellë zgjidhje për ardhmërinë e Bosnje- Hercegovinës, theksoi në Ankara presidenti i Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, pas takimit me presidenten kroate Kolinda Grabar-Kitaroviç.

Një nga temat që u interesoi gazetarëve ishte edhe komenti i Erdoganit në kontekst të zgjedhjes së Zheljko Komshiç si anëtar të Presidencës së Bosnje-Hercegovinës nga radhët e kroatëve, në zgjedhjet e tetorit, temë mbi të cilën edhe Zagrebi zyrtar shpalosi pakënaqësinë e saj duke e përcjell madje edhe në Parlamentin Europian.

“Respektoj vullnetin zgjedhor të qytetarëve të BH-së dhe dëshiroj të theksoj rëndësinë e unitetit të të gjithë popujve në këtë vend”, tha Erdogan.

Erdogan shtoi se popujt në BH duhet të shikojnë njëri-tjetrin me sytë e paqes.

Presidenti turk ka folur edhe për takimin tripalësh Turqi-BH-Kroaci.

“Marrëveshja e Dejtonit detyrimisht duhet të rishikohet. Është shumë e qartë se Marrëveshja e Dejtonit nuk ka sjellë zgjidhje për ardhmërinë e Bosnje-Hercegovinës”, nënvizoi Erdogan.