Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan tha se nuk planifikon të mbajë mitingje përpara raundit të dytë të zgjedhjeve, por do të takohet me viktimat e tërmetit shkatërrues.

“Unë do të vizitoj disa pjesë të zonave të goditura nga tërmeti gjatë fundjavës. Nuk kam në plan të mbaj mitingje, por mund të mbajmë mitingje të ngjashme në zonën ku ndodhi tërmeti” tha Erdogan.

Ai falënderoi të gjithë qytetarët për votën, pavarësisht se për kë kanë votuar, duke thënë se të gjithë e mbrojnë demokracinë dhe kontribuojnë për të ardhmen e vendit.

Erdogan tha se blloku i tij dhe Partia për Drejtësi dhe Zhvillim (AK) në pushtet, kanë nisur tashmë përgatitjet për 28 maj dhe do të shfrytëzojnë sa më shumë ditët para zgjedhjeve.

“Ne i qëndrojmë të gjitha premtimeve që kemi bërë gjatë mitingjeve zgjedhore, dhe do të fillojmë zbatimin pasi populli ynë të na japë leje më 28 maj”, tha ai.

Erdogan ka premtuar të rindërtojë rajonin jugor të vendit duke ndërtuar gjithsej 650,000 shtëpi të reja, nga të cilat 319,000 do të dorëzohen brenda një viti.

Erdogan tha se në periudhën e re do të ketë një qeveri të fortë duke eliminuar mangësitë ekzistuese. Ai premtoi se do të mbajë kontakte me të gjithë liderët botërorë në përputhje me interesat e Turqisë.