Presidenti i Republikës së Turqisë, Rexhep Tayip Erdogan, përfundoi vizitën në Kinë dhe udhëtoi për në SHBA, ku do të takohet me homologun e tij amerikan Donald Trump, raporton Anadolu Agency (AA).

Pasi mori pjesë në drekën e punës të Forumit “Brezi dhe Rruga e Bashkëpunimit Ndërkombëtar”, Erdogan me avionin “CAN” nga aeroporti ndërkombëtar në Pekin udhëtoi për në Washington.

Pas fluturimit 14 orësh, Erdogan nesër do të takohet me presidentin amerikan, Trump, ndërsa më pas do të jetë i pranishëm edhe në takimin mes delegacioneve të të dyja vendeve.

Krahas Erdoganit dhe zonjës së parë të Turqisë, Emine Erdogan, nga Pekini në Washington udhëton edhe shefi i diplomacisë turke Mevlut Çavusoglu, ministri turk i Drejtësisë Bekir Bozdag, ministri i Ekonomisë Nihat Zeybekci, ministri i Energjetikës dhe Resurseve Berat Albayrak dhe ministri i Mbrojtjes Fikri Isik.

Duke marrë parasysh faktin se nga Ankaraja në Pekin udhëtoi të shtunën, më pas sot nga Pekini përmes Paqësorit shkon në SHBA, ndërsa nga Washingtoni përmes Oqeanit Atlantik kthehet në Ankara, presidenti i Turqisë, Erdogan në këtë mënyrë brenda një jave me avion do të udhëtojë rreth e rrotull Tokës. Erdogan nga Ankaraja përmes Pekinit dhe Washingtonit dhe kthimit në Ankara në avion do të kalojë rreth 42 orë.