Ish-Ministri i Jashtëm i Austrisë, Erhard Busek, ka zhvilluar të martën takime me kreun e VV-së Visar Ymeri dhe atë të AAK-së Ramush Haradinaj.

VV nëpërmjet një komunikate ka bërë me dije se Busek i ka pyetur ata për krizën politike dhe rrugëdaljen nga ajo.

Më poshtë mund t’i lexoni dy njoftimet e dy partive opozitare rreth këtyre takimeve

Njoftimi i VV-së:

Sot, me Kryetarin e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Visar Ymeri, pritëm në takim Dr. Erhard Busek, ish-Ministër i Jashtëm i Austrisë, dhe aktualisht Kryetar i Institutit për Rajonin e Danubit dhe Evropën Qendrore, i shoqëruar nga Z. Gunther Fehlinger, President i Shoqatës Austriake-Kosovare , dhe avokatin Taulant Hodaj. Në këtë takim Dr. Busek u interesua për situatën aktuale ekonomiko-politike në Kosovë si dhe për rrugëdaljet e mundshme nga kriza politike. Visar Ymeri shpjegoi argumentet e Opozitës së Bashkuar kundër marrëveshjes për “Zajednicën” dhe demarkacionit me Malin e Zi, si dhe nevojën për zgjedhje të jashtëzakonshme në Kosovë, si kërkesë që tashmë vjen nga një front më i gjerë shoqëror, si dhe njëkohësisht si e vetmja rrugëdalje e mundshme nga kriza aktuale politike.

 

Postimi i Haradinajt në Facebook:

Sot kam zhvilluar një takim të ngrohtë dhe miqësor me ish-zëvendës kancelarin austriak dhe diplomatin e shquar, Erhard Busek.

Bashkëbiseduam për zhvillimet aktuale politike nëpër të cilat po kalon Kosova, zhvillimin ekonomik, sundimin e ligjit, proceset integruese si dhe mundësit e bashkëpunimit të mëtejmë ndërmjet Kosovës dhe Austrisë.

Z. Busek ia përcolla mirënjohjet dhe falënderimet për mbështetjen e vazhdueshme që Austria i ka dhënë dhe po i jep Kosovës.

Austria vazhdon të mbetet partner i rëndësishëm i Kosovës në rrugën drejt BE-sē dhe ne jemi krenarë për miqësinë midis dy vendeve tona.

U pajtuam që të punojmë shumë për të forcuar dhe thelluar bashkëpunimin në mes të dy vendeve tona, në të gjitha fushat, e në veçanti në ekonomi dhe integrime evropiane.

haradinaj busek