Ish deputetja Ermira Mehmeti, nëpërmjet një statusi në rrjetin social “Facebook”, e ka një porosi për të gjithë përkrahësit e protestave të organizuara nga persona të eksponuar të VMRO-DPMNE-së kundër gjuhës shqipe, duke vendosur paralele mes marrëdhënieve të Maqedonisë me shtet tjera fqinje.

Ja çfarë shkruan Mehmeti:

Hidhërohen kur shteti fqinj ua mohon të drejtën e emrit, ndërkaq bashkëqytetarëve të  tyre ua mohon të drejtën e përdorimit të gjuhës.

Hidhërohen kur një shteti tjetër fqinj ua mohon të drejtën si shtet amë që të kujdesen për përfaqësuesit e popullit të tyre nëpërmjet kufirit, ndërkaq protestojnë pse shteti amë i bashkëqytetarëve të tyre kujdeset për të drejtat e tyre.

Hidhërohen kur një shtet i tretë fqinj u përzihet në çështjet autoqefale dhe identitare, ndërkaq vet i detyrojnë klerikët të përzihen në politikë dhe të udhëheqin protesta shoviniste kundër bashkëqytetarëve të tyre.

P.S. ky nuk është status nacionalist. Kjo është vetëm përpjekje e thjeshtë që të ilustroj se politika e mohimit të të drejtave të dikujt është frustruese për çdo njeri, të gjithë popujt dhe bashkësitë etnike.