Të thuash se vaksinat janë një burim mutacionesh dhe sëmundjesh është jashtë çdo logjike. Nuk ka asnjë dëshmi nga ndonjë hulumtim relevant që mund të konfirmojë pretendime të tilla kundër vaksinës. Fakt është se asnjë nga vaksinat e miratuara nuk përmban virus të gjallë që shkakton Kovid-19. Kjo do të thotë që vaksina nuk mund të na sëmurë me Kovid-19, siç pretendohet në postim. Vaksina është arma më e fuqishme në luftën kundër këtij virusi. Sa më shumë njerëz të vaksinohen, aq më shumë njerëz të mbrojtur do të ketë, e aq më pak mundësi do ketë për shfaqjen e mutacioneve të virusit dhe formimin e një lloji të tij që mund të jetë rezistent ndaj vaksinave, e që bota të kthehet si në fillim të pandemisë me miliona të infektuar dhe mijëra njerëz që vdesin çdo ditë, shkruan Vërtetëmatësi.

Në postimin në rrjetin social Facebook thuhet se vaksinat janë burim i mutacioneve dhe i sëmundjeve, dhe se virusi duhet të zhduket edhe pse nuk janë vaksinuar të gjithë dhe se maska duhet të mbajnë të gjithë, madje edhe fëmijët dy vjeçar. Asnjë nga këto pretendime nuk është i vërtetë.

ASKUSH NUK MUND TË PARASHIKOJË SE SI DO PËRFUNDOJË MAKTHI V@КSAJNS?!?

V@КSINAT BËJNË EFEKTIN E KUNDËRT – JANË BURIM I MUTACIONEVE DHE SËMUNDJEVE!

A NUK ËSHTË KJO FUSHATË E SHËMTUAR E FASHIZMIT MJEKËSOR NJË TREGUES I MJAFTUESHËM QË “KONSPIRACIONI” TË BËHET REALITET?

Të thuash se vaksinat janë një burim mutacionesh dhe sëmundjesh është jashtë çdo logjike. Nuk ka asnjë dëshmi nga ndonjë hulumtim relevant që mund të konfirmojë pretendime të tilla kundër vaksinës. Fakt është se asnjë nga vaksinat e miratuara nuk përmban virus të gjallë që shkakton Kovid-19. Kjo do të thotë që vaksina nuk mund të na sëmurë me Kovid-19. Simptomat e lehta që i kanë raportuar personat e vaksinuar (dhimbje, skuqje e vendit të injektimit, dhimbje koke, temperaturë) janë vetëm dëshmi se sistemi imunitar është aktivizuar.

Në vazhdim, në postim thuhet:

Rreth 50 përqind e popullsisë, ose rreth 160 milion njerëz, janë vaksinuar me dy doza, dhe 35 milion janë infektuar me virusin, që nëse i shtojmë edhe rastet asimptomatike, na jep një shifër prej më shumë se 100 milion amerikanë. VIRUSI DUHET TË ZHDUKET, POR NË FAKT PO NDODH PIKËRISHT E KUNDËRTA.

Edhe pse në SHBA ka një  numër të konsiderueshëm të të vaksinuarve, kjo nuk do të thotë se është arritur imuniteti kolektiv, prandaj nuk mund të thuhet se virusi duhet të zhduket. Virusi do të ekzistojë për aq kohë sa do ketë nikoqirë ku do vendoset. Dhe deri sa 50 përqind e popullsisë do jetë e pavaksinuar, virusi ka ku të përhapet dhe nuk do të zhduket derisa të arrihet imuniteti kolektiv.

Pastaj, edhe ata që nuk janë të imunizuar plotësisht mund të infektohen me virusin. Vaksinat zvogëlojnë rrezikun nga infektimi dhe sëmurja, por ato nuk janë të përkryera. Ato zvogëlojnë rrezikun, por nuk e eliminojnë atë. Siç kemi shkruar disa herë deri më tani dhe siç informojnë çdo ditë institucionet kompetente, asnjë vaksinë nuk mbron 100 përqind nga virusi. Ato mbrojnë kundër zhvillimit të formave të rënda të sëmundjes, hospitalizimit dhe vdekjes. Disa nga të vaksinuarit do të sëmuren, por do e kalojnë shumë më lehtë.

Një tjetër e pavërtetë e shkruar në postim është se autoritetet amerikane rekomandojnë që që të gjithë të mbajnë maska, madje edhe fëmijët mbi moshën dy vjeç.

Të përballur me llojet e tjera ngjitëse, për autoritetet është e rëndësishme që t’i kufizojnë mundësitë e përhapjes së virusit. Kjo ndër të tjera nënkupton mbajtjen e maskave – masë kjo të cilën e rekomandon përsëri Qendra amerikane për kontrollimin dhe parandalimin e sëmundjeve (CDC) madje edhe për personat e vaksinuar.

Në rekomandimet e CDC vërtetë përsëri rekomandohet që të mbahen maska në mjedise të mbyllura, por nuk thuhet që këtë duhet ta bëjnë të gjithë, e aq më pak fëmijët e vegjël. Të gjitha masat u referohen personave mbi 12 vjet.

CDC gjithashtu rekomandon që personat e vaksinuar të mbajnë maska ​​në mjedise publike të mbyllura në zonat ku ka transmetim të lartë. Kjo rekomandohet për shkak të infeksioneve me llojin delta, i cili po përhapet me shpejtësi dhe ka raste infektimi edhe tek një numër i vogël i personave plotësisht të vaksinuar. CDC raporton se personat e vaksinuar me dy doza që infektohen me llojin delta mund ta transmetojnë virusin te të tjerët. Për ta zvogëluar rrezikun e transmetimit të llojit delta dhe kalimin e tij tek të tjerët, CDC rekomandon që njerëzit e vaksinuar me dy doza në mjedise të mbyllura të mbajnë maska.

Në postim thuhet se “pretendimi se të sapoinfektuarit janë vetëm në mesin e të pavaksinuarve është i tepruar”. Për diçka që bazohet në të dhëna reale faktike të mbështetura nga prova zyrtare nuk mund të thuhet se është “i tepruar” vetëm sepse dikujt i konvenon ashtu.

Sipas të dhënave zyrtare në SHBA  numri i personave të vaksinuar që janë të infektuar me virusin është shumë më i vogël se numri i atyre që nuk janë të vaksinuar, por që janë infektuar. Në fakt, pothuajse të gjitha rastet e hospitalizimeve dhe vdekjeve nga Kovid-19 (9 nga 10 raste) janë në mesin e personave të pavaksinuar ose atyre që nuk kanë pranuar të dyja dozat e vaksinës.

Vaksina është arma më e fuqishme në luftën kundër këtij virusi. Sa më shumë njerëz të vaksinohen, as më shumë njerëz të mbrojtur do të ketë, e aq më pak mundësi do ketë për shfaqjen e mutacioneve të virusit dhe formimin e një lloji të tij që mund të jetë rezistent ndaj vaksinave, e që bota të kthehet si në fillim të pandemisë me miliona të infektuar dhe mijëra njerëz që vdesin çdo ditë. Prandaj, postimet e këtilla në rrjetet sociale që kanë për qëllim t’i largojnë njerëzit nga vaksinimi duke përhapur dezinformata janë jashtëzakonisht të dëmshme.