Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), përmes një komunikate për medie ka dhënë sqarime lidhur me gjetjen e mbetjeve mortore, më 16 nëntor, në Kizhevak të Serbisë, për të cilat dyshohet se janë të shqiptarëve të Kosovës.

Në komunikatë thuhet që mbetjet mortore janë zbuluar në një gurore të madhe në Serbi, nga ekspertët EULEX-it, të Instituti i Mjekësisë Ligjore të Kosovës dhe Komisionit Qeveritar të Serbisë për Personat e Zhdukur. Gjithashtu, EULEX sqaron se ekspertët e saj kanë kryer gërmime në Kizhevak që prej vitit 2015 dhe në vitin 2020, siç thuhet në komunikatë, ndodhi një përparim falë shfrytëzimit të imazheve fotografike nga ajri.

“Problemi ishte se këto janë lokacione guroresh të mëdha dhe se peisazhi ka pësuar ndryshime të vazhdueshme me kalimin e kohës për shkak se kjo gurore ka qenë në përdorim ende për një numër të viteve,” ka thënë Javier Santana, arkeolog forenzik i EULEX-it.

Siç sqaron misioni i EULEX-it, pas kërkesës për t’i marrë imazhet fotografike nga ajri të vitit 1999, Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq ia siguroi këto imazhe fotografike nga ajri Komisionit Qeveritar të Kosovës për Personat e Zhdukur dhe Komisionit Qeveritar të Serbisë për Personat e Zhdukur në fund të vitit 2019. Në fund të vitit 2019 dhe në fillim të vitit 2020, ekspertët e EULEX-it i kanë analizuar fotografitë dhe në bazë të analizave, në muajin shkurt është përcaktuar vendndodhja e saktë e lokacionit.

Më pas, ekspertët nga EULEX-i, Instituti i Mjekësisë Ligjore të Kosovës dhe Komisionit Qeveritar të Serbisë për Personat e Zhdukur kanë kryer punën në terren në Kizhevak, e cila solli deri te zbulimi i mbetjeve mortore.

“Puna në Kizhevak është larg nga të përfunduarit. Procesi është shumë i ndërlikuar dhe merr shumë kohë. Për të pasur mundësi të vazhdohet puna, duhet të ketë një urdhër gjykate. Pas kësaj, hapi tjetër është që të vazhdohet me zhvarrimet dhe gjetjen e mbetjeve mortore. Pasi të gjinden mbetjet mortore, duhet të bëhet autopsia dhe do të merren mostrat e eshtrave për testet e profilit të ADN-së. Në rastet ku të afërmit e ndonjë personi të zhdukur i kanë dhënë mostrat e gjakut dhe do të ketë raport për përputhje pozitive të ADN-së, procesi i identifikimit përfundon. Pastaj, familjet informohen për identifikimin dhe atyre u dorëzohen mbetjet mortore të personit të zhdukur”, tha koordinatori i EULEX-it për zhvarrime, Krassimir Nikolov.

Zëvendës drejtorja e Institutit të Mjekësisë Ligjore të Kosovës, Tarja Formisto u ka bërë thirrje edhe një herë të afërmëve të gjithë personave të pagjetur që t’i japin mostrat e gjakut për ta lehtësuar procesin e identifikimit.

Lajmin për gjetjen e mbetjeve mortore në Kizhevak afër Rashkës në Serbi, më 16 nëntor, e pati konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, Arsim Gërxhaliu nga Instituti i Mjekësisë Ligjore të Kosovës. Lidhur me dyshimet se mbetjet mortore të gjetura janë të shqiptarëve të vrarë gjatë luftës në Kosovë, Gërgjaliu kishte thënë:

“Mund të konfirmoj se janë eshtra të shqiptarëve të Kosovës, në Kizhevak të Serbisë”, ka thënë Gërxhaliu.

Deri në gjetjen e mbetjeve mortore në Kizhevak, në bazë të të dhënave të publikuara nga organizata joqeveritare Fondi për të Drejtën Humanitare, të dhëna këto të nxjerra nga raporti i Zyrës së UNMIK-ut për Personat e Zhdukur dhe Mjekësi Ligjore dhe të cilat gjenden gjithashtu në bazën e të dhënave të organizatës Nisma Rinore për të Drejtat e Njeriut (YIHR), që nga viti 2001, në territorin e Serbisë në katër lokacione janë zbuluar varreza masive me trupat e 941 shqiptarëve të vrarë në Kosovë më 1999