https://youtu.be/Sy1gZTtJHzI?t=32

Arsyeja kryesore për ardhjen e eurokomesarit Han në Shkup është për të parë nga afër se deri ku ka arritur plotësimi i kushteve të parapara në Marrëveshjen e Përzhinës. Pak para takimit të nesërm, Han dërgoi porosi nga Brukseli nëpërmjet një kumtese të Komisionit Evropian.

“Marrëveshja e arritur verën e kaluar ndërmjet të gjitha forcave kryesore politike dhe caktimi i datës së zgjedhjeve për në dhjetor ishte një hap i mirë. Megjithatë, ky është vetëm fillimi. E rëndësishme është që kushtet për zgjedhje të besueshme janë përmbushur plotësisht dhe se qytetarët mund të marrin pjesë lirshëm në këtë proces.”

Zëvendëskryeministri për Integrime Evropiane, Arbër Ademi e vlerëson pozitivisht vizitën e Hanit. Sipas tij kjo dëshmon se për Maqedoninë ekziston perspektivë evropiane.

Analistët politikë të cilët në detaje i përcjellin zhvillimet e brendshme, nesër nga Han presin të tregojë qartë se a ka kushte për zgjedhje të parakohshme më 11 dhjetor në Maqedoni, pavarësisht turbulencave politike të kohëve të fundit. Sipas Andreja Stojkovskit, nga Qendra Maqedonase për Politike Evropiane, Han nesër do të ketë mision zhbllokimin e qorrsokakut politik ku kanë ngecur partitë politike.

“Personalisht nga Han, pres që përveç zgjedhjeve të fletë edhe për nevojën e shpërbërjes së Kuvendit sa më shpejtë të jetë e mundur dhe për zbatimin e Marrëveshjes së Përzhinës, sepse aty mjaft kemi ngecur”, u shpreh Andreja Stojkovski.

Me qëndrim të njëjtë edhe Lupço Petkovski nga Qendra Maqedonase për Politikë Evropiane. Ai pret nga Han mbështetje të qartë për punën e Prokurorisë Publike Speciale.

“Han vjen për t’i ulur në tavolinë politikanët, për t’i qetësuar dhe të bindet që ajo për të cilën u morën vesh, e që BE-ja dhe Komisioni Evropian me kërkesë të liderëve ishin garantues, a po plotësohet. Porosia do të jetë të plotësohet ajo për të cilën janë dakorduar, të mos thellohet kriza dhe gjithashtu për t’i dhënë mbështetje shtyllës kryesore për zgjidhje të krizës, e kjo është PPS-ja”, tha Lupço Petkovski, nga QMPE.

Të dy analistët politikë janë kategorikë se nga Han, respektivisht nga Brukseli presin trysni më të madhe, me qëllim që kriza politike dyvjeçare sa më shpejt të zgjidhet.