Nga: Medai SHAHOLLI

Europa e bashkuar apo e hallakatur, kjo është dilema që ngrihet sot për Europën nga disa anëtarë të saj më të vjetër brenda këtij asociacion të madh të shteteve.

Disa të tjerë pas daljes së britanikëve nga ky klub i të krishterëve e shohin këtë asociacion si të shpartalluar dhe jo të dobishëm për sovranitetin kombëar të tyre.
Tani që po bëhen gati për të hyr brenda unionit edhe shtetet e ballkanit siç është “dërzhava” jonë e dashur Severna Makedonija, në mes të valles së madhe të Europës ”po çahet” daullja e saj.
Njëherë që u bë gati fukaraja të hy në valle plasi daullja.

BE-ja do të shkërrmoqet, thonë thashethemet brenda shtëpisë së madhe në Bruksel.
Për gjithë këtë “tersllëk” dhe vardisje si për kobë thonë komentues të ndryshëm qëndron ”nepsi” i DUI-t, e cila në vardisjet për integrimet euroatlantike ka qënë e padurueshme me kërkesat e saja për hapjen e negociatave me BE-në, drejtuar komisionerit Han; O në europë, o në gropë!

Komisioneri për zgjerim Johanes Han është një ”xhambaz” i BE-së, që përmes formulës së njohur të ”shkopit dhe karrotës”, tërhoqi deri në grackën e tradhtisë me premtimin e hapjes së negociatave me BE-në për këtë vit, ku partitë shqiptare votuan për ta zhbërë identitetin kombëtar shqiptar, me ndryshimet kushtetuese si kusht për miratimin e Marrëveshjes së Prespës.
Karta me ”gogolin rus” që përdorën si shantazh dy emisarët antishqiptarë europian Zhbogar dhe Han, ishte një tjetër karrem që kapi partitë shqiptare në ujrat e turbullta të Vardarit, për të hequr dorë nga statusi dhe gjuha shqipe në ndryshimet e fundit kushtetuese si kusht për integrimet europiane.

Po dje pas mbarimit të mbledhjes së ministrave të jashtëm të BE-së, ndodhi thagma e madhe, ku merret vesh se BE, nuk do t’i hap negociatat edhe këtë vit me dy vendet e ballkanit perendimor siç janë Shqipëria dhe NMK.

Profecitë ”matrapazit” të Brukselit Johanes Han, për hapje të negociatave këtë vit me NMK nëse miratoni Marrëveshjen e Prespës, kanë dëshmuar lojën e ndyrë të Brukselit me vendet e ballkanit si premtime boshe.

Nuk duam t’i besojmë zërave që thonë thash e theme rreth ”Shumanit” në Bruksel, se BE nuk dëshiron të hap negociatat me dy vendet e ballkanit pasi ato kanë popullatë të shumtë myslimane dhe për pasojë nuk do të pranojë në klubin e saj të krishter anëtarë të rinj me religjon fetar ndryshe nga ajo.

Si do që të jetë Europa plakë vuan akoma nga mberturinat dhe mentaliteti i së kaluarës kur janë në pyetje shqiptarët në përgjithësi.

Tani që ardhmja e Perandorisë së Europës plakë nuk është shumë e sigurtë, integristët shqiptarë kanë varur të gjitha shpresat te Mulla Sul, për ta bekuar komisionerin Han që ky i fundit t’i bind shtete anëtare të hapin negociatat me NMK.

Fundja ata shpresojnë se Mulla Sul, do mund t’i bëj ndonjë nuskë (hajmali) apo magji Europës plak, që të mos shkërrmoqet derisa të hyjnë si fitimtarë përmes portës së madhe të BE-së, Ali Ahmeti dhe Artan Grubi me shushkën Teuta si antarë të ”denjë të dërzhavës Severna Makedonija”, pas këtij momenti le të bëhet qameti thonë ata.

A do të kenë fatin integristët e Ali Ahmetit që brenda 10 viteve të hyjnë në derën e madhe të BE-së, apo do të shkërrmoqet ajo para se integristët me partiçkat e tjera shqiptare të shkelin në shkallaret e saj?