Rreth 19 mijë vetë janë evakuuar nga Alepoja lindore drejt provincës së Idlibit, që kur operacioni filloi më 15 dhjetor, sipas asaj që kanë konfirmuar Kombet e Bashkuara.

Në operacione paralele evakuimi, 750 vetë janë nxjerrë nga dy fshatrat e rrethuar sirianë Al Fuah dhe Kefraya. Sidoqoftë, Kombet e Bashkuara nuk mund të konfirmojnë sesa njerëz vazhdojnë të mbeten të bllokuar në enklavën që vazhdon të jetë nën kontrollin e rebelëve.

Ndërsa evakuimet vazhdojnë, me njerëz që ngjiten në autobusë nga Alepo dhe dy fshatrat e rrethuar, Këshilli i Sigurimit ka kërkuar monitorimin e procesit dhe sigurisë së civilëve që mbeten të bllokuar. Të martën në mëngjes, Kombet e Bashkuara konfirmuan se qeveria siriane ka autorizuar dërgimin e një misioni prej 20 personash në Alepon lindore, për të monitoruar evakuimet.

Stafi shtesë i OKB-së ndodhet në Damask, i gatshëm për të udhëtuar drejt Alepos lindore sa më shpejt që të jetë e mundur.

Por, ndërsa OKB-ja flet për afro 20 mijë të evakuuar, Turqia ka deklaruar se operacioni për evakuimin e civilëve dhe luftëtarëve nga Alepoja lindore ka nxjerrë që andej 37.500 vetë. Ndërsa sipas Kryqit të Kuq, numri i të evakuuarve është 25 mijë.

Zyrtarët turq dhe rusë gjithsesi kanë vlerësuar se evakuimi do të përfundojë brenda dy ditësh, pavarësisht se është e vështirë të besohet nëse qëllimi është realist, kjo edhe falë problemeve që kanë shoqëruar procesin deri më tani, por edhe për shkak të vlerësimeve të ndryshme për numrin e personave të mbetur atje.

Burime nga rebelët sirianë thonë se, edhe pas largimit të mijëra vetëve nga Alepoja lindore, vetëm rreth gjysma e civilëve që donin të largoheshin e kanë bërë këtë. Luftëtarët rebelë, ndërkohë, do të largohen vetëm pasi të gjithë civilët që duan do të jenë larguar. Marrëveshja për armëpushimin dhe evakuimin i lejon rebelët të mbajnë armë personale, por jo armë të rënda.

Ndërkohë, video amatore që janë shfaqur në rrjetet sociale tregojnë njerëzit e mbërritur në zona më të sigurta nga Alepoja lindore. Si për shembull një fëmijë në një autobus, me një kafaz me zogj, si dhe njerëz që përshëndesin dhe përqafojnë njëri-tjetrin ndërsa zbresin. Të tjerë të evakuuar presin pranë autobusëve dhe përpiqen të ngrohen në zjarr.

Ndërsa një burrë i vjetër, në mes të shkatërrimit në Alepo kërkon ndihmën e komuniteteve myslimane në të gjithë botën.

“Për hir të Zotit, ku jeni? A më dëgjon njeri? Arabë, myslimanë, ku jeni ju, ndërkohë që ne masakrohemi?  Na shpëtoni! Ne po vritemi dhe po vdesim urie!”.

Apeli i tij është në fakt i sikletshëm për shtetet me shumicë arabe myslimane sunite, që mbështesin rebelët që luftojnë presidentin Bashar al-Assad dhe për aleatët e tij, Iranin dhe Rusinë.

/ Top Channel