Aktori turk, Kenan İmirzalıoglu, i njohur për rolin e tij të famshëm Ezel, pas martesës së bujshme me modelen e njohur Sinem Kobal, duket se po kalon një periudhë krize në çift. Lajmin e konfirmojnë disa nga mediat turke, të cilat u referohen burimeve pranë çiftit.

Marrëdhënia që ka nisur në dhjetor të vitit 2014, për më shumë se një vit ka qenë në fokus të mediave turke, derisa aktori 42-vjeçar pranoi publikisht lidhjen me modelen. Dasma e çiftit u bë në maj të këtij viti në ishullin Ayvalik dhe u tha se ceremonia madhështore ka kaluar shifrën e 100 mijë eurove.

 

Por, nga sa duket, shkëlqimi ka rënë shpejt. Edhe pse çifti nuk kanë dhënë asnjë deklaratë zyrtare për marrëdhënien e tyre, burimet thonë se arsyeja e krizës mendohet të jetë dëshira e Kobal për të pasur një fëmijë. Sipas burimeve pranë çiftit, 28-vjeçarja Sinem Kobal dëshiron të ketë një fëmijë, ndërsa Ezel është ende i fokusuar dhe i angazhuar me karrierën.

Arsyen e ka konfirmuar edhe revista turke EnMagazine, e cila shton se Sinem Kobal ka treguar se Ezel në këtë periudhë është i fokusuar në karrierë dhe në projektet e tij të reja.

Lajmet janë paksa kontradiktore, sepse të tjera media, edhe pse pranojnë të njëjtën arsye, shkruajnë se është pikërisht Kobal ajo që nuk do të ketë një fëmijë tani.