Beteja ndërmjet Facebook-ut dhe rregullatorit për të dhënat në Britaninë e Madhe, më në fund ka përfunduar.

Rrjeti social Facebook ka rënë dakord të paguajë dënimin prej 580,000 eurove të kërkuar nga Zyra e Komisionit të Informacionit në Britani të Madhe, që zbuloi se kompania nuk arriti të ruante të dhënat e përdoruesve, që ishin mbledhur nga firma politike e të dhënave Cambridge Analytica, transmeton Telegrafi.

Me këtë marrëveshje, Facebook më nuk do të pranojë asnjë përgjegjësi lidhur me këtë skandal.

Vitin e kaluar, rregullatori kishte caktuar një gjobë, ndërsa Facebook e apeloi vendimin, ndërsa gjatë kësaj jave, është bërë e ditur se u arrit marrëveshja.

Kompania dhe drejtori i përgjithshëm, Mark Zuckerberg janë përballur me një kontroll të ashpër, pasi Cambridge Analytica mblodhi të dhënat personale të afro 87 milionë përdoruesve. Hetimet janë fokusuar, në mënyrën se si janë përdorur këto të dhëna.

Nën marrëveshjen e arritur, Facebook do të ofroj qasje në dokumentet e marra nga qeveria e Britanisë së Madhe prej Cambridge Analytica, të cila do të përdoren për të hetuar çështjen.

Harry Kinmonth, këshilltari i përgjithshëm i asociuar në Facebook, ka thënë në një deklaratë se kompania do dëshironte që “të kishte bërë më shumë për të hetuar, me pretendimet në lidhje me Cambridge Analytica në 2015”, dhe se ka bërë “ndryshime të mëdha”.

Firma britanike që merrej me këshillime politike, Cambridge Analytica ndërthurte përpunimin e të dhënave, ndërmjetësimin dhe analizën e të dhënave me komunikimin strategjik gjatë proceseve zgjedhore. Kompania që ishte themeluar në vitin 2013, është mbyllur përfundimisht më një maj të vitit 2018.