Avokati i familjes së Almir Aliut, i vrarë në korrik të këtij viti në Kumanovë, do të kërkojë dënim maksimal për vrasësin e katërvjeçarit, raporton SHENJA. Ai tha se tashmë edhe zyrtarisht është paraqitur padi ndaj të dyshuarit Boban Iliç dhe ndaj vëllaut të tij Bojan Iliç dhe se padia tanimë ndodhet në Gjykatën themelore të Kumanovës, në fazën që tanimë i akuzuari ka të drejtë të paraqesë ankesë me qëllim që të bëhet vlerësimi i padisë, dhe më vonë e njëjta të futet në fazën e dëgjimit në Gjykatën Themelore në Kumanovë. Sipas Avokatit Asmir Alispahiq, për më së shumti një muaj pritet që të fillojë edhe zyrtarisht gjykimi.
“Kjo do të thotë se tanimë i dyshuari akuzohet se ka kryer vrasje të Almir Aliut në mënyrë të egër, por është munduar që ti heq nga jeta edhe prindërit e tij. Kjo ka dalur nga materiali i inçizuar, i cili pa dyshim paraqet material dëshmues kyç për ngjarjen e pakëndshme. Afatet janë të qarta, unë pres që më së voni për një muaj të fillojë zyrtarisht edhe gjykimi ku I ftoj të gjithë përfaqësuesit mediatik, të jenë prezent me qëllim që të shihet se për çfarë të akuzuar bëhet fjalë, pa aspak pendim, pa asnjë grimcë pendimi për për atë që e ka bërë dhe për këtë arsye unë si avokat I familjes, si dhe familja gjithashtu, do të kërkojmë që kjo vepër të dënohet me dënim maksimal, i cili parasheh dënim me burg të përjetshëm.“, ka deklaruar Asmir Alispahiq, avokat.
Alispahiq bën apel që lënda të punohet në mënyrë profesionale dhe rasti të mos marrë konotacione politike. Duke shtuar se nuk duhet harruar faktin tjetër që në këtë ngjarje kanë qenë të rrezikuar edhe tre persona të tjerë, pasi do të mund të kishin humbur jetën edhe prindërit e Almirit.
“Nga videoja shihet qartë mënyra dhe motivet dhe koha e veprës penale. Pala mbrojtëse ka të drejtë, avokati I tij ka të drejtë në çfarëdo mënyre të mundohet që ta mohojë të gjithë atë, por unë nuk dyshoj se profesionistët që e punojnë ekspertizën neuropsikiartike se në mënyrë profesionale do ta punojnë dhe me të vërtetë do ta njohin atë se ai ishte mendërisht mirë gjatë kryerjes së veprës së njejtë, sepse në një mënyrë aq të egër të një fëmije që kishte vetëm 4 vjet, pa asnjë shkak, pa asnjë arsye dhe tani të hiqet se gjoja nuk ka qenë mendërisht mirë, me qëllim që ti shqiptohet dënim tjetër, me të vërtetë do të ishte e palejueshme në një lëndë të tillë“, ka thënë më tej ai.
Disa muaj më pare, një zënkë verbale në shtëpinë e shëndetit në Kumanovë mes Bojan dhe Boban Iliçit dhe prindërve të Almirit, rezultoi me humbjen e jetës së këtij të fundit, pra fëmiut katërvjeçarë Almir Aliu. Dëshmitarët thonë se ishte një vepër penale e qëllimshme, pas çka dolën edhe video inçizimet ku shiheshte se si i dyshuari Boban Iliç shtyp me makinë vogëlushin i cili ishte i shoqëruar me prindërit e tij.
/SHENJA/