Fati i Prokurorisë Speciale Publike mbetet i paparashikueshëm. Formimi i qeverisë së re pa mbështetjen e 2/3 të votave të deputetëve lë shumë të panjohura se a do ti vazhdohet mandati PSP-së e cila merret me zbardhjen e krimit të krerëve qeveritar në Maqedoni. Dy partnerët e deritanishëm të koalicionit qeveritar, VMRO-DPMNE dhe BDI, kanë qëndrime diametralisht të kundërta lidhur me mandatin e Speciales.

Bashkimi Demokratik për Integrim, punën e PSP-së dhe vazhdimin e mandatit të saj e ka në mesin e pikave për të cilat ishte shprehur se janë të panegociueshme me partnerin e ardhshëm qeverisës. Ndërkohë partia e Nikolla Gruevskit ka paralajmëruar disa herë tashmë se mandati i PSP-së nuk do të vazhdohet.

Si partitë shqiptare dhe Zoran Zaev janë shprehur për përkrahje të vazhdimit të mandatit të PSP-së dhe se e njëjta është kusht për formim të çdo koalicioni të ardhshëm për formim të qeverisë.

Kujtojmë se Refuzimi i Gjykatës Themelore Shkupi 1, që PSP-së t’ia dorëzojë procesverbalin e marrëveshjes së Xvonko Kostovskit, është njëra nga obstruksionet e shumta ose mosbashkëpunimeve, me të cilat përballet kabinet i prokurores speciale, Katica Janeva.