Agjentët e FBI-së kanë konfiskuar dokumente dhe prova tjera potenciale nga shtëpia e Paul Manafort, ish-shef i kampanjës parazgjedhore të presidentit të SHBA-ve Donald Trump.

“Shtëpia e Manafortit është bastisur në kuadër të hetimeve për përzierjen e Rusisë në zgjedhjet presidenciale amerikane në vitin 2016”, ka konfirmuar zëdhënësi i Manafort, Jason Maloni, transmeton Reuters.

Bastisja ka ndodhur më 26 korrik, kur FBI pa paralajmërim të mëhershëm ka hyrë në shtëpinë e ish-shefit të shefit të kampanjës së Trump.

“Agjentët e FBI-së kanë bastisur njërën nga shtëpitë e zotit Manafort. Ai në mënyrë konstante ka bashkëpunuar me përfaqësuesit e ligjit dhe këtë e ka bërë edhe kësaj radhe”, ka thënë Maloni. Manafort ka udhëhequr kampanjën e Trumpit për rreth pesë muaj, ndërsa dorëheqje dha në gusht të vitit të kaluar.