Fc Shkupi vazhdon me përgatitjet në Çair, ndërsa shumë shpejt bardheblutë pritet të udhëtojnë drejt Ohrit ku do të zhvillojë fazën kryesore të përgatitjeve. Edhe pse vitet e fundit Shkupi fazën kryesore të përgatitjeve e zhvillonte në Antalia të Turqisë, megjithatë situata me koronavirusin ka ndryshuar planet e ekipit të Çairit. Nga tabori i Shkupit kanë njoftuar se nisja për në Ohër do të bëhet më 16 korrik, me bardheblutë që do të qëndrojnë deri më 1 gusht. Fc Shkupi gjithashtu ka caktuar edhe 4 ndeshje miqësore. Më 18 korrik bardheblutë do të përballen me Borecin, më 22 korrik do të takohen me Renovën, ndërsa më 26 korrik luajnë me Strugën. Ndërkohë Shkupi më 30 korrik pritet të zhvillojë edhe një ndeshje tjetër miqësore, mirëpo ende nuk është caktuar kundërshtari.