Duhet t’ju ketë ndodhur shpesh që ndërsa bëni një telefonatë a bisedë të rëndësishme pune, fëmija tenton t’jua tërheqë vëmendjen me të gjitha mënyrat, sepse ndihet jashtë vëmendjes suaj. Andaj, s’keni asnjë arsye pse të acaroheni. Thjesht, duhet të dini se si duhet të silleni në situata të tilla …

Blerta Bodinaku,
psikoterapiste

Rreth moshës 4-5 vjeçare, fëmijët sapo fillojnë të kuptojnë se bota nuk rrotullohet rreth tyre, se prindërit kanë interesa nga më të ndryshmet dhe nuk janë të fokusuar vetëm tek ta. Kjo gjë mund t’i shqetësojë dhe t’i bëjë të ndihen jashtë vëmendjes së prindit.

Kështu, ata mund të tentojnë shpesh ta tërheqin vëmendjen e prindit me të gjitha mënyrat, ndërsa ai është duke folur në telefon me një kolege, duke ndjekur një lajm të rëndësishëm në televizor, duke biseduar me bashkëshortin apo dikë tjetër.

Ata e kanë vështirë të kuptojnë se ndonjëherë prindërit duhet të mbarojnë një punë apo një bisedë, pa përfshirjen e fëmijës. Për më tepër, kujtesa afatshkurtër e fëmijëve në këtë moshë nuk është shumë e zhvilluar, do të thotë se impulsi që ata të thonë menjëherë atë që u vjen ndërmend, ka një bazë fiziologjike.

Kështu, ju mund të jeni në telefon duke bërë një bisedë të rëndësishme dhe ndërkohë fëmija juaj t’ju tërheqë nga mënga, duke thirrur pa pushim “Mami, mami, maaaamiiii … “.

Me përmirësimin e kujtesës afatshkurtër, fëmija juaj do të bëhet më pak impulsiv dhe do të aftësohet gjithnjë e më shumë t’i mbajë mend mendimet që i lindin në moment (edhe pse jo për një kohë shumë të gjatë), ndërsa pret që ju të mbaroni punën apo bisedën që keni nisur tashmë.

Për të rriturit, këto ndërprerje mund të bëhen shumë shqetësuese, madje irrituese, por e vërteta është që aftësia për të kuptuar kur duhet ndërprerë tjetri dhe se sa mund të presim para se të ndërhyjmë në një bisedë, kërkon një nivel mjaft të lartë mendimi kritik, të cilin fëmijët e kësaj moshe ende nuk e zotërojnë.

Gjithashtu, fëmijës i duhet të mësojë të kategorizojë dhe të vendosë prioritete midis nevojave të veta, përpara se të ndërhyjë dhe të kërkojë vëmendje në një moment të caktuar. Kështu, fëmija do të mësojë se nuk mund ta ndërpresë babin nga një bisedë në telefon për t’i kërkuar atij t’i lexojë një libër, por mund ta ndërpresë atë nëse shikon se vaska është mbushur me ujë dhe po derdhet.

I gjithë ky proces i të mësuari është kompleks: përfshin zhvillimin e mjaft aftësive kritike, kategorizuese, por edhe zhvillimin e durimit dhe të besimit të fëmijës. Kështu, edhe prindi duhet të ketë durim dhe të kuptojë se do të duhet mjaft kohë para se fëmija i tij të mësojë të ndërhyjë në kohën dhe mënyrën e duhur.

Për këtë arsye, para se të acaroheni apo të zemëroheni me fëmijën tuaj, mundohuni të kuptoni që ai nuk po ju ndërpret qëllimshëm për t’ju zemëruar. Nga ana tjetër, përpiquni ta ndihmoni atë të krijojë disa zakone të nevojshme për një ndërveprim të rregullt me të tjerët dhe … pritni.

Çfarë mund të bëni për ta mësuar fëmijën tuaj të mos ju ndërpresë?

– Së pari, mbani gjithmonë mend të jepni shembullin tuaj, pasi fëmijët e çdo moshe janë imitues të mrekullueshëm. Nëse vetë e keni zakon të ndërprisni njëri-tjetrin kur flisni, përpiquni ta ndryshoni këtë gjë. Përpiquni që në bisedat me partnerin tuaj apo me të tjerë përreth ta dëgjoni deri në fund tjetrin para se të ndërhyni dhe, sigurisht, mos harroni ta bëni të njëjtën gjë me fëmijën tuaj.

Dëgjojeni atë deri në fund dhe mos i përfundoni fjalitë e tij. Nëse ndodh që të harroni dhe ta ndërprisni atë, ndaluni dhe kërkoni falje: “Më fal që të ndërpreva. Vazhdo”. Po ashtu, përfshini në komunikimin tuaj të përditshëm fjalët magjike “të lutem”, “faleminderit”, “s’ka përse”, “më fal” etj.

Edhe pse fëmija juaj nuk mund ta kuptojë plotësisht pse këto fjalë janë të rëndësishme, ata do ta ndiejnë që këto fjalë janë të vlefshme, pikërisht sepse nuk harroni asnjëherë t’i përdorni ato.

– Mos nxitoni t’i ndërprisni aktivitetet apo bisedat tuaja sa herë që fëmija ju thërret, nga frika se mos po e neglizhoni fëmijën tuaj. Një gjë e tillë thjesht do t’i tregojë atij se mund t’ju ndërpresë sa herë të dojë, do ta bëjë atë një fëmijë intruziv, që nuk njeh kufijtë e nevojshëm të të tjerëve dhe do ta pengojë atë të mësojë të durojë dhe ta presë radhën e tij.

Mos harroni: këto të fundit janë aftësi tejet të nevojshme në komunikimin e tij të ardhshëm me të tjerët!

– Sa herë që dëshironi t’i mësoni fëmijës suaj diçka të re, mbani mend që mënyra më e mirë, nëpërmjet së cilës fëmijët mësojnë, është loja. Në çerdhe, kopsht apo me fëmijët e lagjes, fëmija juaj tashmë mund të ketë filluar të mësojë ta respektojë radhën.

Bëjeni të njëjtën gjë edhe në shtëpi. Provoni të uleni përballë njëri-tjetrit, në mënyrë që ta shihni njëri-tjetrin në sy dhe drejtojini pyetje të hapura, të cilat kërkojnë përgjigje të zgjeruara dhe jo thjesht përgjigje me “po – jo”, “mirë – keq” etj., p.sh., “Çfarë të pëlqen më shumë të bësh në kopsht?”.

Dëgjojeni fëmijën tuaj deri në fund, pa e ndërprerë, pastaj pyeteni nëse mbaroi. Nëse po, atëherë vjen radha juaj. Filloni të tregoni çfarë ju pëlqen më shumë të bëni në kopsht. Nëse fëmija juaj ju ndërpret, vendosini gishtin lehtë mbi buzë, për t’i treguar se duhet t’ju dëgjojë, dhe vazhdoni deri në fund. Pastaj tregojini që mbaruat dhe drejtojini një pyetje tjetër.

Me kalimin e kohës, kjo mund të kthehet në një lojë mjaft argëtuese dhe pyetjet të bëhen gjithnjë e më komplekse. Një lojë e tillë ju ndihmon edhe të vendosni një komunikim më të mirë me njëri-tjetrin, të njiheni më mirë dhe të zhvillojë aftësitë shprehëse të fëmijës suaj.

– Ndihmojeni fëmijën tuaj të gjejë një aktivitet tjetër para se të filloni të flisni në telefon apo të përfshiheni në një bisedë, në të cilën nuk dëshironi t’ju ndërpresin (p.sh., një bisedë me mjekun, ndërsa fëmija juaj është i pranishëm).

Mund t’i sugjeroni të bëjë një vizatim, apo të shfletojë një libër dhe t’jua tregojë sapo ta keni mbaruar bisedën. Ju mund t’i thoni: “Më duhet të flas me xhaxhi doktorin tani. Shikoje këtë revistë dhe kur të kem mbaruar, më trego çfarë të pëlqeu më shumë”. ose “Ke dëshirë të qëndrosh pranë meje dhe të vizatosh në tabelën tënde, ndërsa unë flas në telefon?”.

Kjo gjë e strukturon fëmijën, e ndihmon atë të kuptojë se mund të bëjë gjëra interesante edhe në mënyrë të pavarur nga ju, ndërkohë që i bëhet e qartë se ju nuk e keni harruar dhe, mbi të gjitha, e ndihmon të mësojë të presë. Ai do të presë me kënaqësi t’jua tregojë vizatimin apo figurat e librit, sapo të keni mbaruar.

Mund t’i ngarkoni detyra të thjeshta, si, për shembull, t’i mbledhë lodrat e veta dhe t’i vendosë në kutinë e tyre ose, nëse parashikoni që biseda juaj do të zgjasë shumë, mund të vendosni një DVD. Kini kujdes që bisedat e rëndësishme me partnerin tuaj, të cilat lidhen me kujdesin për fëmijën apo me marrëdhënien tuaj, të mos i kryeni në prani të fëmijës, edhe nëse ai po merret me një aktivitet dhe duket se nuk e ka mendjen aty.

– Mbani mend që do të duhen vite derisa fëmija juaj të mësojë të durojë apo të mësojë t’ju ndërpresë në mënyrën e duhur, si p.sh.: “Kam diçka për të të thënë”, “Më fal që të ndërpres” etj. Kështu, sa herë që fëmija juaj t’ju tërheqë nga mënga apo t’ju thërrasë duke bërtitur, ndërsa jeni në mes të një bisede, merrni frymë thellë dhe përpiquni ta qetëson i veten.

Kujtohuni që po përpiqeni t’i mësoni fëmijës suaj disa parime të rëndësishme dhe relativisht komplekse (ndërkohë që ka të rritur që ende nuk i zotërojnë këto parime dhe aftësi) dhe mos harroni ta vlerësoni fëmijën tuaj me një puthje, përqafim, apo një fjalë të mirë, sa herë që ai tregon se po përparon në këtë proces të të mësuarit. /Telegrafi/