Organizata ndërkombëtare e futbollit, e njohur me shkurtesën FIFA, e ka dënuar Federatën e Futbollit të Serbisë me 160 mijë franga zvicerane, për shkak të incidenteve të simpatizuesve të saj në ndeshjet kualifikuese për Kampionatin Botëror, të zhvilluara muajin e kaluar.

FIFA tha se “mbishkrimet politike dhe diskriminuese” janë paraqitur në ndeshjet me Austrinë dhe me Gjeorgjinë, në terrenin vendës.

Ky dënim u bë edhe për shkak të akuzave për “brohoritje politike” në ndeshjen kundër Austrisë në Vjenë.

Simpatizuesit janë filmuar duke brohoritur mbështetje për pretendimet e Serbisë ndaj Kosovës fqinje, që ka shpallur pavarësi në vitin 2008, raporton AP.