FIKË SE FIKË, BILE ME MUZIKË

(Reflektim në prag të zgjedhjeve parlamentare të parakohshme në Maqedoni)

Abdulla Mehmeti

Populli shqiptar në Maqedoni, edhe përkundër përpjekjeve të shumta gjatë të kaluarës, vazhdon edhe më tej të mbetet në gjendje tepër të mjerueshme, pa liri dhe të drejta njerëzore e kombëtare, pa udhëheqës të denjë dhe pa përkujdesje nga institucionet e shtetit në të cilin jetojnë dhe japin kontributin e tyre maksimal si qytetarë.
Po nuk ndërhyri urgjentisht faktori ndërkombëtar, diplomacia me orientim të shëndoshë kombëtar dhe forcat politike përparimtare nga Republika e Shqipërisë, Republika e Kosovës dhe subjektet e organizuara nga diaspora shqiptare në Evropën Perëndimore dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, fati i këtij populli edhe më tej do të varet kryesisht prej shteteve fqinje dhe qendrave të huaja politike jashtë vendit, të cilat janë duke i realizuar katërçipërisht interesat e veta në dëm të interesave të popullit shqiptar në Maqedoni.
Përgjatë gjysmës së dytë të shekullit njëzet, shqiptarët në Maqedoni kanë qenë poligoni i eksperimenteve më çnjerëzore nga regjimi komunist jugosllav, por, as gjatë periudhës së re të ndryshimeve demokratike nuk arritën të zgjohen e këndellen, të organizohen e veprojnë drejtë për realizimin e të drejtave të tyre më elementare njerëzore, qytetare e kombëtare.
Edhe sot, ky popull vazhdon të manipulohet e shantazhohet, maltretohet e frikësohet, duke u keqpërdorur keqas për realizimin e interesave të ngushta personale dhe grupore nga disa individë e qarqeve antishqiptare, të cilat nuk pushojnë duke ia shpërlarë trurin kësaj popullate të lodhur e rraskapitur nga skamja, mjerimi, trusnia, shtypja, persekutimi, dhuna e terrori shtetëror ndaj tyre, fatkeqësisht edhe me ndihmën e disa politikanëve shqiptarë, të cilët kurrë nuk zgjedhën mjete për ta manipuluar këtë popull të lënë në mëshirën e fatit, pa asnjë përkujdesje dhe mbrojtje institucionale, si nga shteti ku jetojnë edhe nga shteti amë, Republika e Shqipërisë.
Shqiptarët në Maqedoni, në kapërcyell të ndërrimit të pushtetit dhe më vonë, sidomos në kulmin e krizës politike aktuale që e ka mbërthyer Maqedoninë, si popull i shtypur, i frikësuar dhe nënshtruar, nuk arritën t’i artikulojë kërkesat e veta të ligjshme për realizimin e të drejtave qytetare dhe kombëtare të mohuara në këtë shtet. Sidomos, nuk arritën të shpëtojë nga kthetrat e mashtrimit dhe degradimit të statusit juridik-kushtetues dhe politik të tij, të definuar si pakicë kombëtare me kushtetutën e vitit 1991 dhe ndryshimet e plotësimet e saj në vitin 2001.
Gjatë këtij viti, kur me muaj të tërë opozita joshqiptare në këtë shtet protestoi kundër dështimeve të pushtetit, duke siguruar edhe përkrahje ndërkombëtare në synimet e veta politike dhe strategjike, shqiptarët vetëm u vetëkënaqën përmes rrjeteve sociale me idenë për ,,bashkim kombëtar” dhe me lavdërime nacional-folklorike për racën shqiptare me prejardhje pellazge-ilire-dardane-arbërore, të rrethuar përherë me armiq të jashtëm dhe duke i harruar armiqtë e brendshëm, kriminelët dhe mercenarët nga raca e vet, të cilët i sollën këtij populli më tepër fatkeqësi se të gjithë armiqtë e tij të jashtëm së bashku. Sipas kësaj logjike të çoroditur, ne përherë paskemi qenë viktima, të burgosur, të vrarë, të përndjekur, të persekutuar, të robëruar, të mohuar, e asnjëherë kundërshtues, kryengritës, luftëtarë të denjë për mbrojtjen e interesave tona kombëtare!
Gjatë kësaj vere, përskaj të gjitha zullumeve nga pushteti, e ashtuquajtura opozitë shqiptare në Maqedoni mezi organizoi një protestë në Shkup, edhe atë, më tepër për t’i thelluar përçarjet mes shqiptarëve dhe sa për t’i lidhur ,,flamujt e fitores” me flamuj të huaj.
Në kohën kur shqiptarëve në Maqedoni u duhej të rreshtohen pas forcave progresive, për ta kundërshtuar fuqishëm këtë katandisje të qenies shqiptare në këtë shtet, këtë përulje dhe nënshtrim, forcat politike të etshme vetëm për pushtet, vazhduan edhe më tej t’ia shpërlajnë trurin kësaj popullate, duke i premtuar perspektivë më të mirë, paqe dhe progres në të ardhmen.
E paimagjinueshme do të ishte për një popull me vetëdije më të lartë politike ta besojë edhe më tej këtë ,,përrallë me lule” nga vetë ata që e sollën këtë popull në gjendje të mjerueshme, në këtë krizë të thellë nga e cila do t’i duhet shumë kohë e gjatë për të shpëtuar, këndellur e rimëkëmbur përsëri. Nga kthetrat e këtij mashtrimi shqiptarët në Maqedoni nuk do të shpëtojë edhe kësaj radhe, përskaj shpresave që ushqen se do të sigurojnë ardhmëri më të mirë përmes zgjedhjeve parlamentare të radhës, të cilat pritet të mbahen më 11 dhjetor të këtij viti.
Si mund të shpresojë ky popull se do të sheh dritë në fund të tunelit ku e kanë futur politikanët e vet deri më sot, kur për veprimtarinë kriminale të po këtyre politikanëve faktori ndërkombëtar ka ngritur prokurori dhe gjykata speciale?!
Si mund të ëndërrojë me sy çelë ky popull se shpëtimin do ta gjejë përmes politikanëve, të cilët në lojën e pakuptimtë pozitë-opozitë ia shtrëngojnë edhe më tepër lakun në fyt?!
Kush mund ta besojë edhe pas gjithë këtij ,,teatri politik” në sytë e kësaj popullate se, pozitën e përfaqësojnë liderët e ,,e shitur”, ,,të korruptuar”, ,,tradhtarë”, ndërsa sekretarët e tyre të partisë, sekretarët e ministrave të tyre në qeveri, ish deputetë dhe funksionarë të lartë nga organet e partive dhe organet e pushtetit ku bënë pjesë ata vetë, mund të shndërrohen në vizionarë, strategë, engjëj dhe shpëtimtarë?!
E përfundoj këtë shkrim me një slogan që kohë më parë e kam dëgjuar prej studentëve tanë, të cilin e përdorin në çaste të dëshpërimit të thellë: ,,Fikë se fikë, bile me muzikë!”
E ndjej për obligim t’u apeloj të gjithë bashkëqytetarëve, miqve dhe dashamirëve të mi, të kthjellen përfundimisht nga kjo kllapi, nga ky mashtrim, nga kjo shpëlarje e trurit, nga ky manipulim ordiner dhe nga ky shantazh, që të nesërmen mos përjetojnë zhgënjim dhe dëshpërim më të thellë.
Ju garantoj se nga këto zgjedhje do të dilni më të zhgënjyer se kurdoherë më parë; se udhëheqësit tuaj partiakë do të sulen se cili më parë të ulet në prehrin e qeverisë së re për ta thelluar edhe më tej mjerimin dhe fatkeqësinë tuaj dhe të bashkëkombësve tuaj; se asnjë mrekulli nuk mund të ndodhë nga njerëzit tanimë të provuar në politikë, të cilët nuk kanë kaçik as një protestë të vetme ta organizojnë në interes të të drejtave tuaja; se janë të njëjtët ata që kanë heshtur dhe do të vazhdojnë të heshtin edhe në të ardhmen para të gjitha padrejtësive dhe fatkeqësive që ju kanë goditur deri më sot; se do të vazhdojnë të heshtin edhe në të ardhmen për të siguruar mirëqenie dhe luks vetëm për veten e tyre dhe klanet mafioze që i rrethojnë ata.
Duke konsideruar se përpjekja për realizimin e të drejtave tona qytetare, njerëzore dhe kombëtare duhet të vazhdojë edhe më tej, deri në realizimin e plotë të tyre; në radhë të parë me sigurimin e kushteve dhe standardeve të nevojshme për organizimin e zgjedhjeve të lira, të drejta dhe demokratike; me pastrimin e skenës politike nga patriotët e rrejshëm, politikanët e dështuar, manipuluesit ordinerë dhe shërbëtorët e devotshëm të të gjitha llojeve dhe kalibrave, do të ishte më mirë dhe më e dobishme për kauzën tonë që në ditën e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të parapara më 11 dhjetor 2016, të dalim të gjithë së bashku në sheshet e qyteteve tona, sidomos ata që nuk janë të kapur nga pushteti dhe partitë politike, që nga Kumanova deri në Manastir e Strugë, me kërkesën e vetme: DUAM ZGJIDHJE, JO ZGJEDHJE!

(8.11.2016)