Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe, e ka dënuar incidentin e djeshëm në spitalin “8 Shtatori”, ku disa persona sulmuan fizikisht personelin mjekësor.

Filipçe thotë se në këtë rast, është vepruar në mënyrë profesionale dhe sipas protokolleve, si dhe i fton organet hetuese të veprojnë për rastin në fjalë, përcjell Telegrafi Maqedoni.

“Dje në spitalin ‘8 Shtatori’, mjekja është sulmuar nga familjarë të pacientes, e cila pas disa ditëve qëndrim në spital, ndërroi jetë nga coronavirusi. Ka intervenuar policia, e cila arrestoi disa anëtarë të familjes së të ndjerës. Ata kanë tentuar me dhunë ta marrin trupin, pa zbatimin e protokolleve adekuate për personat e vdekur nga Covid-19”.

“Ky është akt i mosrespektimit të të gjithë punëtorëve shëndetësorë, të cilët për 4 muaj luftojnë për çdo jetë njeriu. Ky është diskreditim i punës së tyre, mundit dhe viktimizimit”, ka shkruar Filipçe.

Ndryshe, familjarë të një paciente e cila ndërroi jetë nga COVID-19, kanë sulmuar personelin mjekësor, pasi kanë dashur ta marrin trupin e të ndjerës. Ata janë arrestuar nga policia.