Qeveria e Maqedonisë në seancën e sotme pritet që të fillojë procedura për shkarkimin e prokurorit republikan shtetëror, Marko Zbërlevski. Më parë kryeministri, Zoran Zaev, publikisht dy herë e ka ftuar që Zvërlevski vetë të japë dorëheqje për të përshpejtuar procedurat, megjithatë deri më tani, nga ky i fundit ende nuk ka asnjë reagim.

Sipas procedurave ligjore, Qeveria pas mendimit nga Këshilli i Prokurorëve deri te Kuvendi i Maqedonisë, duhet të dorëzojë propozim për shkarkimin e prokurorit publik të Republikës së Maqedonisë. Prokurori mund të shkarkohet nga funksioni përpara skadimit të mandatit për arsye të: paligjshmërisë, nëse nuk e kryen punën në mënyrë efikase dhe profesionale, nëse me sjelljet dhe veprimtaritë e tij tregon se nuk është i gatshëm për kryerjen e atij funksioni, nëse nuk dorëzon kërkesë për ngritjen e procedurës penale në raste të parapara me ligj dhe për shkak të shëmtimit të reputacionit të funksionit.

Këshilli është i obliguar që në afat prej 15 ditëve, t’i përgjigjet Qeverisë me mendim pozitiv ose negativ.

Deri më tani nuk ka informata se me çfarë arsyetimi Qeveria do të kërkojë nga Këshilli mendim për shkarkimin e Zvërlevskit.