Si deputet i Parlamentit të Maqedonisë dhe si qytetar i këtij vendi, vlerësoj që është e patolerueshme dhe nënçmuese që institucionet e shtetit të lejojnë dhe financojnë një film të ashtuquajtur që nxit urrejtje dhe mos durim midis qytetarëve të këtij vendi, shkruar në facebook deputeti i BDI-së Ejup Alimi.

Mbështetja e filmit propagandistik dhe trushpërlarës “Përqeshja e Krishtit”, dhe ku Ushtria Çlirimtare Kombëtare dhe qytetarët shqiptar paraqiten si terrorizues, dhunues dhe torturues, tregon se akoma ka të tillë që Maqedoninë nuk e dëshirojnë të integruar në strukturat euroatlantike dhe pjesë të Bashkimit Evropian.

Me këtë rast, si deputet i partisë më të madhe shqiptare, kërkoj përgjegjësi duke filluar nga anëtarët e Komisionit në Agjencinë e Filmit dhe zyrtarët e Ministrisë së Kulturës, pasi dikush e lejoi bërjen e filmit dhe më pas lejoi dhe nuk e pengoi e aq më pak pengoi publikimin e filmit propagandistik.

Pres që edhe kabinetin qeveritar të reagoj menjëherë nëpërmjet të tërheqjes së këtij “filmi” si dhe distancimit nga përmbajtja skandaloze e të njëjtit.

Kërkoj urgjentisht që Ministria e kulturës dhe Agjencioni për film ta ndalojnë shfaqjen dhe distribuimin e këtij « filmi » fyes e shpifës si ndaj popullit shqiptar ashtu edhe ndaj pastërtisë së luftës së drejt e të shenjtë të UÇK-së.