Kryetarja e Dhomave të Specializuara, Ekatrina Trendafilova, në konferencën e saj në Prishtinë, është ndërprere pas disa sekondash që e ka marrë fjalën.

Për pak minuta, është dëgjuar vetëm fishkëllima e këtyre dy aktivistëve të PSD-së.

“Kjo gjykatë po dëshiron ta ndryshoj historikun e Kosovës duke e bërë luftën çlirimtare si luftë që ka ndodh mes dy agresorëve jo si luftë çliruese. Gjykatësja ka ardhur të raportojë që të legjitimohet kjo gjykatë, por s’është me reale. Kanë harru që kanë bë krime këtu, kanë ndodh nga agresori d.m.th. Serbia”, ka thënë njëri nga aktivistët

Ata janë larguar nga salla, e në dalje të objektit ku po mbahej konferenca, të dy së bashku me pesë aktivistë të tjerë janë arrestuar nga Policia e Kosovës.

Në shenjë proteste kanë shkruar “Non-grata” mbi veturat e EULEX-it, me të cilat kanë sjellë përfaqësueset e Dhomave Speciale.

Arrestimi i tyre është shoqëruar me dhunë nga Policia e Kosovës.

Në sallë ka tentuar ta marrë fjalën edhe një tjetër person, me kritika për institucionin që e udhëheq Trendafilova.

Por sërish është ndërprerë.

Me pas për rreth një orë e gjysmë Trendafilova së bashku me administratoren e gjykatës, Fidelma Donlon, kanë vazhduar konferencën.

Si një nga arsyet kryesore të krijimit të institucionit që ajo e udhëheq e ka përmendur sigurinë e dëshmitarëve që mund të dëshmojnë.

“Gjatë udhëtimit tim të mëhershëm dhe dje i thash një gazetare, do e përsëris gjithmonë edhe gjykimi më i mirë gjyqësor nuk vlen asgjë nëse merret në kurriz të jetës apo mirëqenies të njerëzve. Administratorja ka një ekip të përkushtuar dhe gjithmonë diskutojmë për çdo zhvillim dhe çdo gjë tjetër që mund të përmirësohet dhe në këtë aspekt shpresoj që nuk do të përballemi me ndonjë situatë apo problem dhe kjo çështje është shumë serioze, unë besoj se kjo ka qenë një prej arsyeve pse është marrë vendimi për krijimin e kësaj gjykate, një prej arsyeve sigurisht”, ka deklaruar Trendafilova.

Ajo është pyetur për kërkesën e mbrojtjes së ish-presidentit Hashim Thaçi për përjashtimin nga rasti i saj. Por siç ka thënë të akuzuarit nuk mund të vendosin për trupin gjykues, e i është shmangur pyetjes nëse dy konferenca të ndara në Prishtinë e Mitrovicë paraqesin ndarje etnike nga ana e saj.

“Unë jam ushtare, nëse më thonë njerëzit në Mitrovicë, nuk kam qenë atje, kam qenë tri herë në Prishtinë. Nëse më thonë duan të takojnë në Mitrovicë unë shkoj atje. Dhe për këtë ja kaloj fjalën Angeles”, shtoi ajo.

Admistratorja e Gjykatës Speciale, Fidelma Donlon, ka folur për trajtimin e të paraburgosurve kosovarë.

“Të paraburgosurit kanë qasje në librarit, që ka libra, revista gazeta, në gjuhën që kanë zgjedhur. Kanë qasje në radio dhe TV dhe mund të marrin pjesë në shërbime fetare. Janë marrë të gjitha masat që të votojnë në zgjedhjet lokale siç kanë bërë edhe në zgjedhjet e 14 shkurtit”, tha Donlon.

Gjykata Speciale funksionon në kuadër të sistemit të drejtësisë në Kosovë, por është e vendosur në Hagë. Themelimi i saj është bërë nga Kuvendi i Kosovës