Partitë politike dënojnë ashpër fjalimin e fundvitit të presidentit Gjorge Ivanov. BDI-ja me anë të një komunikate, e quante të pavlefshëm fjalimin, pasi komuniteti shqiptar sipas kësaj partie, nuk e ka pranuar atë si kryetar shteti.

“Qëndrimet e Ivanovit janë krejtësisht irelevante pasi ai nuk është i pranuar dhe njohur si president nga njëri prej dy komuniteteve kryesore në vend, andaj edhe nuk meriton as komentin tonë”, thanë nga BDI.

Zëdhënësi i Lëvizjes Besa Orhan Murtezani tha se Ivanovi nuk ka kompetenca të përzihet në punën e formimit të shtetit binacional.

“Ne si Lëvizje Besa vazhdimisht e kemi thënë se Maqedonisë, për t’u bërë shtet funksional, i duhet një ridefinim i tërësishëm i sistemit juridiko-kushtetues ku gjuha shqipe do të ishte gjuhë zyrtare në tërë territorin e Maqedonisë. Atë që tha dje kryetari i shtetit, edhe njëherë duhet të theksojmë se nuk është nën kompetencat e tij”, deklaroi Orhan Murtezani, Lëvizja Besa.

Sipas Aleancës për shqiptarët, kryetari Gjorge Ivanov edhe gjatë dy mandateve nuk e ka kryer detyrën në bazë të ligjeve dhe kushtetutës, përkundrazi, ka kontribuar në thellimin e tyre.

“Militanti partiak Gjorge Ivanov që morri titullin në një proces të diskutueshëm zgjedhor do të duhet të jetë më i kujdesshëm në detyrën e tij, pikërisht për shkak të mungesës së legjitimitetit. Ai, edhe në këtë paraqitje ishte i humbur në kohë dhe në hapësirë. Përveçse mbajti dy mandate titullin “President”, Ivanovi asnjëherë nuk bëri atë që e obligoi ligji dhe Kushtetuta e vendit. Ai vazhdoi të kontribuojë në thellimin e problemeve në Maqedoni. Asnjëherë nuk reagoi kundër rrahjeve dhe ofendimeve ndaj shqiptarëve. Qëndroi i njëanshëm edhe ndaj diskriminimeve që ndodhin në vend”, thanë nga “Aleanca për Shqiptarët”.

Presidenti Ivanov në fjalimin e fundvitit tha se nuk do të pranonte kurrë që vendi të bëhet binacional dhe se do të pengonte çdo përpjekje për federalizmin e shtetit. Ai iu bëri thirrje madje edhe 2 partive të mëdha maqedonase që të mbrojnë interesat kombëtare maqedonase./Alsat-M