Të nderuar qytetarë të Republikës së Maqedonisë,

Të nderuar punonjës të Ministrisë së Punëve të Brendshme

Sot, ex lege ndërpritet funksioni i Ministrit z. Spasovski dhe me MPB-në do të udhëheq unë deri në formimin e Qeverisë së re  të dalë nga zgjedhjet e 11 Dhjetorit të vitit 2016. Kjo është zgjidhje që rezultoi nga Marrëveshja e Përzhinos e arritur nga liderët e partive politike më të mëdha në vend.

Duke qenë i vetëdijshëm për periudhën kur po e udhëheq MPB-në, do të bëj përpjekje maksimale që me këtë zgjidhje të jenë të kënaqur të gjithë qytetarët e Maqedonisë pa dallim të përkatësisë kombëtare, fetare, partiake, sociale, etj.

Për këtë periudhë zotohem edhe para opinionit më të gjërë se do të kultivojmë profesionalizmin, respektimin e vlerave kushtetuese dhe standardet thelbësore brenda kompetencave tona, si në fushën e sigurisë shtetërore ashtu  edhe të sigurisë publike.

Do të respektohen të gjithë nënkulturat e strukturave heterogjene në MPB, por ato domosdoshmërisht duhet të jenë komplementare me kierarkinë institucionale brenda MPB-së.

Vlerësoj se policia ka nevojë për respektin dhe mbështetjen  nga të gjithë komunitetet që jetojnë në  vend për t’i ushtruar detyrat e veta sipas vlerave universale të pranuara ndërkombëtarisht. Shoqëria jonë ka nevojë për të mbështetur, sa konceptin për sigurinë në vend  po aq edhe konceptin për dinjitet njerezor. Nuk mund të goditen shkelësit e ligjit me degradimin e tyre, por me masa institucionale adekuate, sikundër që nuk mbrohet siguria e vendit me shkeljen e të drejtave të njeriut, por me veprime operative të ligjshme. Funksionimi i shtetit të së drejtës dhe sundimi i drejtësisë mbetet një sfidë e madhe.

Punonjësit në MPB dhe gjithë të tjerët duhet të jenë të vetëdijshëm  se është detyrim kombëtar që t’i mbështesim vlerat dhe frymën e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit në çdo segment të MPB-së si dhe të kontribojmë fuqishëm për integrimin e Maqedonisë në rrugën Euroatlantike si alternativë e vetme e perspektivës së vendit tonë.

U garantoj qytetarëve të Maqedonisë se gjithësecili do të përballet me ligjin nëse bie ndesh me atë. Askush nuk është mbi ligjin. Ndërkaq, veprimet dhe akcionet policore pa transparencë të plotë, pa kolegjialitet dhe jashtë principit të legalitetit dhe objektivitetit do të luftohen në mënyrë të ashpër.

Maqedonia është e të gjithë shtetasve të saj, pa asnjë përjashtim, diferencim apo kufizim. Ministria është në shërbim të qytetarëve të saj dhe si e tillë do të vazhdojë të funksionojë edhe në të ardhmen në atë drejtim.

Në fund dua t’i falënderohem z.Spasovskit për bashkëpunimin korrekt dhe kolegjial për sa kohë që udhëheqnim këtë dikaster.

Mbarësi për të gjithë!