Duke qenë se gjatë kohë nuk është dukur në media, si dhe për faktin se po ia mbyllin Sekretariatin për Zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, Televizioni 21 sot vendosi ta takojë zëvendëskryeministrin Hazbi Lika në vendin e tij të punës tek Sekretariati në Qeveri.

Në zyrë nuk e gjetëm, por këtu na thanë se Lika nuk ka në plan që sot të vijë në Shkup, pasi që është në manifestimin “Pranvera e dinjitetit”. Me të mësuar këtë, u nisëm për në Sellcë të Tetovës. E gjetëm duke e ndjekur manifestimin në krah vetëm të Fatmir Deharit, Fazli Veliut dhe Rafis Alitit.

Ai thotë se nuk e kanë pyetur kur e kanë përpiluar ligjin që e transformon Sekretariatin në Ministri, ndërsa Marrëveshjen e Ohrit e konsideron të pazbatuar.

“Një shembull konkret është përfaqësimi i drejtë dhe unë mendoj që kjo nuk duhet të merret si një lojë ose si diçka e lehtë që mund të kapërcehet aty për aty. Nuk kam ndonjë mendim konkret në lidhje me ligjin, ligji ndoshta mund të jetë më i mirë por mbase mund të bëhet edhe më i mirë, sepse kaluan diku 17 vjet prej kur është arritur ajo marrëveshje. Ne e dimë se afatet i ka pasur për 4 vjet të implementohet dhe nuk është implementuar deri më tani. Po flasim për implementim dhe po hyjmë në konflikte për një marrëveshje e cila është dashur të implementohet 4 vite pasi është arritur.

Pyetje: Po e quani konflikt. Konflikt mes kujt?

Nuk e them konflikt në kuptimin e parë të fjalës , por po e them si konflikt mendimesh, idesh”, tha HazbI Lika, Zëvendëskryeministër.

Ndryshe mendon kolegu dhe njëherit bashkëpartiaku i Likës, Bujar Osmani. Përpjekjet për avancimin e Sekretariatit janë të kamotshme thotë ai.

“Ajo që dua të demantoj është se Sekretariati po shuhet. Në fakt nga një shërbim koordinativ, po shndërrohet në trup ekzekutiv i cili mund të propozojë ligje, dhe do te ketë organe brenda për të siguruar implementimin e Marrëveshjes së Ohrit.

Pyetje: Në formatimin, ristrukturimin e Sekretariatit, cili ka qenë roli i z.Lika?

Këto janë vendime të partisë, që ka marrë verdiktin e qytetarëve, janë bërë program i qeverisë”.

Pyetje: Në këto vendimet e partisë, zoti Lika ka pasur zë, cili ka qenë zëri i zotit Lika?

Do ta pyesni zotin Lika, unë ju tregova cila është kronologjia, rrjedha, arsyeja dhe situata për të festuar mundësinë që një shërbim tekniko administrativ, po shndërrohet në organ ekzekutiv”. tha Bujar Osmani, Zëvendëskryeministër.

“Nuk e di kur e ka sjellë BDI-ja këtë vendim, por e di që kjo është një nga pikat e Marrëveshjes së Tiranës, mirëpo sot kur po merret ky vendim për hartimin e ligjit, unë e quaj shumë të nevojshme dhe shumë të arsyeshme që të konsultohen të gjitha palët për të arritur një ligj sa më të mirë”, u shpreh Hazbi Lika, Zëvendëskryeministër

Po a po për­çahet BDI-ja me këto qëndrime dhe ide të ndryshme. Lika mendon se “nuk është koha për ta thënë një gjë të tillë”, ndërsa Osmani thotë se partinë e kanë më të unifikuar se kurrë.

Këto ndasi sipas Likës nuk kanë të bëjnë me çështjen se kush do ta drejtojë Ministrinë e re për Sisteme Politike dhe Marrëdhënie ndëretnike, ndërsa Osmani u përgjigj se BDI në të ardhmen do të shqyrtojë dhe vendosë se kujt do t’i besohet udhëheqja me Sekretariatin e transformuar në Ministri.

Hazbi Lika nuk deshi të komentojë mungesën e tij në seancat e qeverisë, për shkak se siç tha nuk dëshiron që fjalët e tij të bëhen pjesë e ndikimeve të mundshme në fushatën për zgjedhjet Presidenciale.