Nju Jorku dhe Sidnei nga sot do të lidhen përmes një avio-linje të pazakontë, që do të thyej çdo rekord të mundshëm kur janë në pyetje fluturimet komerciale.

Aeroplani Boeing 787-9 brenda të cilit do të mund të akomodohen 40 pasagjerë, do t’i përshkojë 16 mijë kilometra pa pasur nevojë të kryej aterrime në shtete tjera për ta mbushur fluturaken me karburant, transmeton Telegrafi.

Ekuipazhi dhe pasagjerët e përzgjedhur është dashur të kalojnë një sërë testesh mendore dhe fizike, me qëllim që të mund t’i bëjnë ballë një fluturimi të tillë.

Në njërin nga tre fluturimet e para testuese super të gjata, shkencëtarët do të vijojnë një kurs prej 19 orëve fluturim me qëllim që ta shohin më mirë se si do ta përballojnë pasagjerët.

Në anën tjetër aviokompania australiane “Qantas” planifikon që gjatë këtij viti të realizojë edhe dy fluturime tjera të këtij lloji.

Kujtojmë që rekordin për fluturimin më të gjatë komercial në botë deri më tani e ka mbajtur “Singapore Airlines”, që ka udhëtuar nga Singapori në Nju Jork.

Numri i pasagjerëve gjatë fluturimit Nju Jork-Sidnei është i kufizuar me qëllim që të ketë sa më pak shpenzime të karburantit, dhe t’i mundësojë fluturakes të kalojë 16 mijë kilometra pa pasur nevojë të rimbush rezervuarin rrugës për në destinacion.

Shkencëtarët nga dy universitetet australiane do të jenë në fluturake për të përcjell sjelljet e pasagjerët, kufirin e qëndrueshmërisë dhe sasinë e ushqimit që do të shpenzohet gjatë këtij fluturimi.

E pilotët do të mbajnë pajisje të veçanta në trup që do të matin valët e trurit dhe freskinë gjatë fluturimit në një lartësi të madhe.

Por edhe për kundër dallimit të madh në kohë – që është 15 orë mes Nju Jorkut dhe Sidneit, ky udhëtim do të përcillet në mënyrë të detajuar.