Rritja e kufirit të moshës për pensionim është zgjidhje e përkohshme por nuk do ta zvogëlojë boshllëkun në Fondin Shtetëror Pensional, konsiderojnë një pjesë e ekonomistëve. Sipas tyre nevojiten masa afatgjate dhe analiza profesionale për zgjidhjen e problemit. Sipas profesorit, Igor Ivanovski, trendi i uljes së të ardhurave burimore për Fondin është në kundërshtim me tendencën për rritje të punësimit.

“Të punësuarit për të cilët dëgjojmë si numër se janë objekt i masave aktive të qeverisë për punësim, në këtë moment gjenerojnë vetëm obligime në Fondin pensional, por askush nuk paguan për kontributet e tyre pensionale. Nëse qeveria dëshiron të gjenerojë masa aktive për punësim, kjo do të thotë që të paguhen kontributet, pa përjashtim”, deklaroi Igor Ivanovski, profesor universitar.

Një pjesë e masave që i propozojnë ekonomistët për qëndrueshmëri afatgjate të Fondit Pensional janë rritja e nivelit të kontributeve, kalimi i një pjese të personave të siguruar nga shtylla e dytë në atë të parë pensionale dhe evidenca precize e personave të siguruar.

“Rritja ekonomike nëse është e qëndrueshme dhe nëse janë më të larta normat e rritjes ekonomike, ky është burimi i vetëm afatgjatë i të ardhurave me të cilat do të mund të mbulohen shpenzimet e sistemit pensional, nga ana tjetër nevojitet të bëhet një rishqyrtim se cilat janë parametrat dhe në çfarë mënyre përcaktohet rritja e pensioneve”, tha Vladimir Filipovski, profesor universitar.

FMN-ja dhe Banka Botërore tashmë paralajmëruan se varshmëria e Fondit Pensional nga buxheti qendror shënon rritje, që e bën atë të paqëndrueshëm në afat të mesëm dhe të gjatë, transmeton Alsat-M.