Ka përfunduar marrja në pyetje e 12 personave, të dyshuar për përfshirje në incidentin e 5 prillit afër selisë së BDI-së në Reçicë të Vogël, i cili përfundoi me vrasjen e Naip Rexhepit nga Kumanova dhe plagosjen e vëllait të tij Sabit Rexhepit dhe Florim Misimit.
Pas përfundimit të marrjes në pyetje të 12 të akuzuarve, do pasojë grupimi dhe selektimi i fakteve gjegjësisht provave të mbledhura, më pas do të përpilohet edhe aktakuza. Gjykimi është siguruar nga forca të shumta policore. Incidenti ndodhi pak pas mbledhjes që degës së BDI-së së Kumanovës mbajti në Reçicë me kreun e partisë Ali Ahmetin, për të tejkaluar mosmarrëveshjet që ekzistojnë në këtë degë prej vitesh.
Përderisa anëtari i kryesisë së degës së BDI-së në Kumanovë dhe këshilltari komunal Feriz Dervishi dy ditë pas incidentit në një deklaratë për Alsat kishte thënë se incidenti në Reçicë nuk ka të bëj më politikë, pasi viktima Naip Rexhepi disa herë ishte provokuar. Dervishi tha se në mbledhjen e Kuvendit të degës së Kumanovës me kreun e BDI-së, Ali Ahmeti, pas mbarimit të të gjitha procedurave, ish nënkryetari i integristëve, Nazmi Beqiri ishte kërcënuar.
Nga ana tjetër ish nënkryetari i BDI-së Nazmi Beqiri në profilin e tij në rrjetin social Facebook tha se vrasja në Reçicë ka ndodhur pas mbledhjes së grupeve rivale për kryesimin e degës së BDI-së në Kumanovë.
Madje Beqiri shpjegoi se nga kreu i BDI-së ka kërkuar që kjo mbledhje të anulohet deri në qetësimin e gjakrave. Mosmarrëveshjet për drejtimin e degës së BDI-së në Kumanovë datojnë prej vitesh, ndërsa në vitin 2015 u vra kandidati për kryetar dege Xhemail Rexhepi i njohur si komandant Shqiponja. Bashkim Sulejmani/Alsat-M