Forumi rinor i koalicionit Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa, sot para godinës së Qeverisë kanë dërguar apel deri tek kryeministri i vendit Zoran Zaev që të mos tallet me qytetarët ndërsa do t’i japin dhe dy kuti me vaksina, informon Zhurnal.

Ata thonë që këto dy kuti me vaksina janë si dhuratë për kabinetin e tij qeveritar por edhe për zv.kryeministrin.

“Sot jemi këtu, para Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut – që pa pompozitet dhe pa zhurmë t’ia dorëzojmë kryeministrit jo një, por dy kuti me vaksina. Që nëse nuk mjaftojnë për kabinetin e tij qeveritar, të ketë edhe zëvendëskryeministrin e tij”, thonë nga FR.

Ata shprehen se veprimi i fundit me kutinë e vaksinave si donacion nga Serbia, ishte vetëm një ironi dhe cinizëm që na ofron çdo ditë kjo Qeveri.

Ata thonë se derisa i gjithë Ballkani po vaksinohet në mënyrë masive, ai në mënyrë masive mbledhë gjithë kabinetin qeveritar së bashku me Grubin siç thonë, të lumtur që po e sheh Vuçiçin, dhe marin donacion një kuti të vogël vaksinash.

“Ju mund ta quani ironi ose, madje, edhe cinizëm, por kjo nuk është asgjë në krahasim me ironinë dhe cinizmin që na e ofron çdo ditë kjo qeveri. Derisa krejt shtetet ballkanike, pos Kosovës dhe Bosnjës, vazhdojnë me vaksinimin masiv të popullatës, ngrihet kryeministri me krejt kabinetin e tij, bashkë me Artanin e lumtur që po e takonte Vuçiqin, që të pranojnë një kuti të vockël me vaksina. Krejt kjo po ndodhë në kohën kur Maqedonia e Veriut i ka shifrat më të larta të vdekjes në Europë nga virusi Covid-19 dhe në kohën kur sistemi ynë shëndetësor thjesht ka dështuar. Më cinike se kaq dhe më dëshpëruese se kaq nuk mund të jetë”, shprehen më tej nga Forumi Rinor.

Forumi rinor kështu i’a dhuron kabinetit qeveritar dy kuti vaksinash, madje dhe një veçmas për Zaevin. Këto vaksina siç shprehen nga forumi rinor ASH-AAA, do të ndihmonin në imunizimin për mashtrim dhe gënjeshtra.

“Prandaj, ne – të rinjtë e koalicionit Aleanca për Shqiptarët & Alternativa – jemi sot këtu që edhe në këtë mënyrë t’ua demonstrojmë se si duket kujdesi, më saktë pakujdesia, që e shfaq kjo qeveri ndaj shëndetit të qytetarëve të saj. Le që për ne nuk është sinjal fare i mirë që Serbia të tallet me shtetin tonë me një kuti vaksinash, kjo vetëm për fajin e një qeverie inferior e të paaftë. Nëse një kuti vaksina është donacion, ne po ia japim kësaj qeverie dy kuti dhe ta mbyllim këtë punë. Bile, edhe më shumë se kaq, ne do ia japim kryeministrit një vaksinë veçmas, që mos t’i harxhojë këto të kutive. Madje, jemi kujdesur që këto vaksina t’i ndihmojë qeverisë të vetëdijesohet dhe të ndërgjegjësohet se nuk bën të tallet me qytetarët, ndërsa kemi kërkuar që vaksina të krijojë imunizim edhe për mashtrimin dhe gënjeshtrën”, shprehen nga FR – ASH-AAA.//Zhurnal.mk