E veshur me pizhame të bardha, dorashka dhe çorape, bebja vetëm disa ditësh rri plotësisht e heshtur nën diellin përcëllues të Malajzisë.

“E kapa në duar dhe ajo më buzëqeshi”, thotë Hartini Zainudin, duke e kujtuar mëngjesin e nxehtë të një të shtune që ia ndryshoi përgjithmonë jetën.

Hartini është e njohur në Malajzi si aktiviste e të drejtave të fëmijëve që ka shpëtuar shumë foshnja të padëshiruara, shkruan “Al Jazeera”, transmeton “Koha Ditore”. Ajo mendoi se edhe kjo vajzë e vogël ishte një prej rasteve të këtilla. Mirëpo ajo më pas e kuptoi se diçka në rastin e vogëlushes nuk ishte duke shkuar si duhet.

Për një shumë prej 3.000 dollarësh, thotë ajo, Hartini mund ta merrte foshnjën menjëherë dhe ta rriste sikur të veten. “Ata më thanë se mund ta blija… sepse ndryshe do të përfundonte në Tajlandë”, kujton Hartini.

“Online foshnja”

Pas kësaj ajo nxitoi t’i telefononte një aktivisti, i cili i tha se bandat e trafikimit të qenieve njerëzore ndonjëherë i gjymtojnë foshnjat përpara se t’i detyrojnë të shkojnë në Tajlandë për të kërkuar lëmoshë..