Deputetët votuan me 288 vota pro dhe 32 kundër për zgjatjen për herë të pestë të gjendjes së jashtëzakonshme në Francë, duke e lënë në fuqi deri më 15 korrik të vitit të ardhshëm. Vendimi duhet të konfirmohet edhe nga senati, që të mos shkaktohet ndonjë ndërprerje më 22 dhjetor, 15 ditë pas dorëheqjes së qeverisë Vals. Franca po përjeton kështu periudhën më të gjatë të pandërprerë të gjendjes së jashtëzakonshme, plot 20 muaj, që nga periudha e luftës së Algjerisë. Shumica e mazhorancës dhe opozitës e mbështeti zgjatjen e gjendjes së jashtëzakonshme. Vetëm deputetët e Frontit Nacional dhe ekologjistët votuan kundër.

E vendosur nga parlamenti para një viti, gjendja e jashtëzakonshme lejon kontrolle nëpër banesa, bastisje në zyra, ndalim të grumbullimeve, kontrolle identiteti, të bagazheve dhe makinave si dhe mbyllje të vendeve të dyshimta. Zgjatja e kësaj gjendjeje do të ofrojë siguri të shtuar gjatë zgjedhjeve presidenciale të prillit dhe për zgjedhjet parlamentare të qershorit, duke i lënë kohë qeverisë së re të vendosë nëse do të dalë apo jo prej saj. Para votimit, ministri i brendshëm argumentoi se mbi Francën rëndon një rrezik i shtuar terrorist. Që nga atentati i Nisës më 14 korrik, janë regjistruar 13 atentate apo përpjekje për atentate me përfshirjen e rreth 30 individëve, tha ministri duke vlerësuar se periudha zgjedhore ku po hyn vendi mund ta shumëfishojë këtë rrezik. Disa deputetë argumentuan se, nëse ndodh ndonëj atentat me heqjen e gjendjes së jashtëzakonshme, atëherë ekstremi i djathtë do ta instrumentalizojë këtë ndodhi, ndërsa republikanët kërkuan që të lehtësohen disa masa për ta rigjallëruar paksa vendin.